Çlirim Haziri kërkon lirimin e dy veteranëve të UÇK-së, njëri dyshohet për sulmin ndaj deputetit të VV-së

Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, ka kërkuar lirimin e dy veteranëve të UÇK-së, Ekrem Selimit dhe Fatlum Zogajt, të cilëve Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim pas protestës së 5 tetorit. Zogaj dyshohet për sulm ndaj personit zyrtar, lidhur me incidentin ku ishte përfshirë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi.…

Lajme

07/10/2026 17:47

Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, ka kërkuar lirimin e dy veteranëve të UÇK-së, Ekrem Selimit dhe Fatlum Zogajt, të cilëve Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim pas protestës së 5 tetorit.

Zogaj dyshohet për sulm ndaj personit zyrtar, lidhur me incidentin ku ishte përfshirë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi. Ndërkaq, Selimi është anëtar i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Përmes një reagimi në Facebook, Haziri ka thënë se votimi i Ligjit për UÇK-në ishte një moment krenarie, por sipas tij, ky moment mbetet i paplotë përderisa dy protestuesit po mbahen larg familjeve të tyre.

Ai ka theksuar se të dy të ndaluarit janë veteranë të UÇK-së dhe se pjesëmarrjen e tyre në protestë e sheh si shprehje të qëndrimit për mbrojtjen e historisë dhe vlerave të luftës.

“Nuk është as e drejtë dhe as njerëzore që ata të trajtohen me masa kaq të ashpra nga shteti i tyre, vetëm pse ngritën zërin për dinjitetin e kombit”, ka shkruar Haziri.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe t’i lirojnë sa më parë dy veteranët.

“Këta burra e kanë vendin në shtëpitë e tyre, si qytetarë të lirë të Republikës që ndihmuan ta ndërtojnë vetë”, ka përfunduar Haziri. /Lajmi.net/