Gjykata ndalon punimet për amfiteatrin në Mitrovicën e Veriut, “Trepça” pretendon pronësinë e parcelave

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur masë të përkohshme ndaj Komunës së Mitrovicës së Veriut, duke ndaluar vazhdimin e punimeve për ndërtimin e amfiteatrit në sheshin e qytetit. Vendimi është marrë pas kërkesës së ndërmarrjes “Trepça”, e cila pretendon të drejtën e pronësisë mbi parcelat ku kanë nisur punimet. Sipas arsyetimit të Gjykatës, parcelat në…

Lajme

07/10/2026 17:34

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur masë të përkohshme ndaj Komunës së Mitrovicës së Veriut, duke ndaluar vazhdimin e punimeve për ndërtimin e amfiteatrit në sheshin e qytetit. Vendimi është marrë pas kërkesës së ndërmarrjes “Trepça”, e cila pretendon të drejtën e pronësisë mbi parcelat ku kanë nisur punimet.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, parcelat në fjalë figurojnë të regjistruara në pronësi të “Trepçës”, ndërsa nga provat fotografike është konstatuar se në to kanë nisur punimet. Gjykata ka vlerësuar se “Trepça” ka bërë të besueshme ekzistimin e së drejtës së pretenduar mbi këto prona dhe se kërkesa për caktimin e masës së përkohshme është e bazuar.

Masa e përkohshme e ndalon Komunën të kryejë çfarëdo punimi, ndërtimi, ndërhyrjeje, shfrytëzimi apo aktiviteti tjetër në këto parcela, deri në një vendim tjetër të gjykatës.

“Trepça” kishte kërkuar që masa e përkohshme të caktohej për ndalimin e punimeve dhe ruajtjen e gjendjes ekzistuese në këto parcela, pa njoftim dhe dëgjim paraprak të palës tjetër, për shkak të urgjencës.

Sipas gjyqtarit Fuad Haliti, të dhënat kadastrale të paraqitura në gjykatë dëshmojnë se parcelat janë të regjistruara në pronësi të “Trepçës”, ndërsa fotografitë e paraqitura si prova dëshmojnë se në këto prona janë duke u zhvilluar punime.

“Për rrjedhojë, ekziston bazë e mjaftueshme për të konsideruar të besueshme pretendimin e propozuesit se veprimet e kundërshtarit të sigurimit mund të cenojnë ushtrimin e së drejtës së tij pronësore”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Ndërkohë, nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, ka thënë shkurtimisht për KosovaPress se bëhet fjalë për “një keqkuptim mes Komunës dhe ‘Trepçës’”, për të cilin, siç tha, shpreson se do të zgjidhet.

Punimet për ndërtimin e amfiteatrit në sheshin e Mitrovicës së Veriut kanë nisur më 14 shtator 2026, ndërsa për realizimin e këtij projekti janë ndarë 50 mijë e 475 euro. Vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për ndalimin e punimeve është marrë më 23 shtator 2026.

Sot, në orën 13:45, është bërë shikimi i vendit të ngjarjes në kuadër të procedurës gjyqësore. Në shikim kanë marrë pjesë përfaqësues të Gjykatës, gjeodeti, si dhe përfaqësuesit ligjorë të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe të ndërmarrjes “Trepça”.

Gjatë shikimit, sipas konstatimeve të ekspertit gjeodet, është evidentuar se nga punimet janë prekur ngastrat kadastrale me numër 786-0 dhe 788-0, në zonën kadastrale Mitrovicë e Veriut. Në vendpunishte është parë një mjet pune, “bager”, ndërsa në një pjesë të ngastrave ndodhet edhe një tubacion i dheut, i cili po shfrytëzohet për punime.

Gjatë shikimit në vend, gjyqtari Fuad Haliti ka përshkruar gjendjen e ngastrave dhe kufijtë e tyre.

“Në ngastrat kadastrale kontestuese, ku sipas ekspertit gjeodet, nga punimet në vend janë të prekura ngastrat kadastrale me numër 786-0 dhe 788-0, në zonën kadastrale Mitrovicë e Veriut. Shihet se ka punime në zhvillim e sipër, ku vendpunishtja është e rrethuar dhe brenda rrethojës gjendet një mjet i punës, “bager”, ndërsa në një pjesë të këtyre ngastrave ndodhet një tubacion i dheut, i cili, siç shihet, shfrytëzohet për punime në këtë lokacion. Parcela e konstatuar, në anën lindore, kufizohet me ngastrën me numër 2443-0, në të cilën është i ndërtuar sheshi i Komunës së Mitrovicës së Veriut. Në anën veriore, këto ngastra kufizohen me parcelën me numër 784-0, ndërsa në anën perëndimore kufizohen me ngastrat me numër 785-0, 787-0 dhe 788-0. Në pjesën jugore kufizohen me ngastrën kadastrale 789-0”-tha Haliti.

Avokati i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Arbër Shala, tha se projekti i Komunës ka të bëjë me renovimin e sheshit.

“Prej komunës është projekti, dmth për renovimin e sheshit dhe sipas planit të ekspozuar në tabelë”- tha Shala.

Ndërkaq, në aktvendimin e Gjykatës përcaktohet se eksperti gjeodet duhet që brenda shtatë ditësh të përpilojë ekspertizën për ngastrat kadastrale 786-0 dhe 788-0.

“Obligohet eksperti gjeodet që brenda afatit prej 7-ditësh të përpilojë ekspertizën gjeologjike, në të cilën duhet të përcaktohen masat dhe kufijtë e ngastrës kadastrale 786-0 dhe 788-0, të cilëve duhet t’i bashkëngjiten certifikata e pronësisë, skica e terrenit, kopja e planit dhe fotot e vendit të ngjarjes”- tha gjyqtari

Ndërmarrja publike “Trepça” ka vazhduar gjatë muajve të fundit aksionet për rikthimin nën menaxhimin e saj të pronave në veri të Kosovës.

Në Mitrovicë të Veriut, ndërmarrja ka rikthyer në menaxhim disa prona që, sipas saj, kanë qenë jashtë menaxhimit për vite me radhë. Në mesin e tyre janë dy lokale në sheshin e Mitrovicës së Veriut, në rrugën “Koloshini”, të cilat, sipas “Trepçës”, për 27 vjet kishin qenë jashtë menaxhimit të saj. Ndërmarrja kishte rikthyer edhe prona të tjera të shfrytëzuara nga biznese, ndërsa në Zveçan kishte rikthyer në posedim dhe administrim një objekt që ishte përdorur nga ish-Banka Komerciale.

Në kuadër të këtij procesi, “Trepça” kishte vendosur njoftime në hyrje të pronave, përmes të cilave u kishte kërkuar shfrytëzuesve që të paraqisnin dokumentacionin përkatës. Kryeshefi i ndërmarrjes, Faton Ahmeti, kishte deklaruar se në rastet kur nuk paraqitej dokumentacion që dëshmonte të drejtën mbi pronën, ndërmarrja ndërmerrte masa për lirimin e saj.

Më 22 prill, “Trepça” kishte rrënuar mbi 20 garazhe dhe objekte të tjera pranë Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut. Sipas ndërmarrjes, objektet ishin ndërtuar në pronë të saj dhe hapësirat ishin uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme. Nga “Trepça” ishte thënë se aksioni ishte ndërmarrë pas një periudhe mbi dy-mujore, gjatë së cilës palëve u ishte dhënë mundësia të paraqisnin prova apo interesim për rregullimin e statusit përmes kontratës.

Për këtë aksion kishte reaguar kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, i cili kishte thënë se Komuna nuk ishte njoftuar apo konsultuar për rrënimin dhe se nuk kishte pranuar shkresë nga “Trepça” për një veprim të tillë.

Çështja e pronave të “Trepçës” ishte diskutuar edhe në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, më 30 shtator. Asamblisti Marko Jakshiq kishte kërkuar që në rendin e ditës të përfshihej diskutimi për pronat për të cilat “Trepça” pretendon se janë të sajat.

Zëvendëskryesuesja e Kuvendit, Aida Ferati-Doli, kishte thënë se kjo çështje nuk duhet të politizohet apo të ndërlidhet me përkatësi etnike, duke theksuar se “Trepça” ka prona edhe në komuna të tjera të Kosovës dhe se, sipas saj, pronësinë mbi këto prona e ka dëshmuar edhe në gjykatë.

Gjatë diskutimit pati përplasje mes Ferati-Dolit dhe kryesuesit të Kuvendit, Ivan Zaporozhac, pasi ky i fundit ia ndërpreu fjalën. Edhe asamblisti Emir Azemi kishte kritikuar mënyrën e drejtimit të seancës, duke thënë se kryesuesi duhet t’u japë mundësi asamblistëve për debat.