Gërvalla pas zgjedhjes së Presidentes: Na presin katër vjet punë për reforma të thella në drejtësi

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës. Gërvalla-Schwarz e ka cilësuar zgjedhjen e Shiroka-Pulës si vendosje të një gruaje me, siç ka thënë ajo, integritet dhe profesionalizëm të dëshmuar në krye të vendit. Ajo ka thënë se tashmë institucionet i…

Lajme

07/10/2026 16:03

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Gërvalla-Schwarz e ka cilësuar zgjedhjen e Shiroka-Pulës si vendosje të një gruaje me, siç ka thënë ajo, integritet dhe profesionalizëm të dëshmuar në krye të vendit.

Ajo ka thënë se tashmë institucionet i presin katër vjet punë për realizimin e premtimeve dhe përmbylljen e reformave që i konsideron të domosdoshme.

“Po tash kemi para vetes shumë punë. 4 vjet për të realizuar jo vetëm premtimet tona elektorale, por për të përmbyllur reformat e domosdoshme”, ka shkruar Gërvalla-Schwarz.

Ndër prioritetet që ajo ka renditur është funksionalizimi i plotë i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe zbatimi i pakos së ligjeve për reformën në drejtësi.

Gërvalla-Schwarz ka përmendur edhe vetingun në drejtësi, të cilin e ka cilësuar të domosdoshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu themelimin e Gjykatës për Çështje Familjare, duke theksuar se çështjet që lidhen me pronën, trashëgiminë, dhunën në familje, divorcin dhe alimentacionin nuk duhet të presin me vite për zgjidhje.

Në listën e prioriteteve ajo ka përfshirë edhe digjitalizimin e plotë të sistemit të drejtësisë, nga dorëzimi online i padive deri te procedimi dhe zgjidhja e tyre.

Gërvalla-Schwarz ka përmendur edhe themelimin e një Prokurorie të re të specializuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, si dhe krijimin e Zyrës për Hetime Disiplinore për rritjen e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë.

Ndërkohë, ajo ka theksuar nevojën për mbështetjen e hetimeve dhe gjykimit të krimeve të luftës, si dhe përpjekjet për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Të gjithë këta hapa dhe këto reforma do ta bëjnë drejtësinë më të fortë, institucionet më të përgjegjshme dhe qytetarin më të sigurt”, ka shkruar ajo.

Në fund, Gërvalla-Schwarz ka thënë se stabiliteti institucional duhet të shndërrohet në punë, reforma dhe rezultate.

Ajo e ka uruar Presidenten e re dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë zhvillim. /Lajmi.net/