Haxhiu ia dorëzon detyrën Shiroka-Pulës: Bashkëpunimin tim të plotë do ta keni gjithmonë

Ushtruesja e deritashme e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar detyrën Presidentes së re, Justina Shiroka-Pulës. Kalimi i detyrës është bërë në një takim të zhvilluar në Zyrën e Presidencës, ku Haxhiu e ka uruar Shiroka-Pulën për zgjedhjen në krye të shtetit. Haxhiu ka thënë se zgjedhja e Shiroka-Pulës është një…

Lajme

07/10/2026 15:58

Ushtruesja e deritashme e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar detyrën Presidentes së re, Justina Shiroka-Pulës.

Kalimi i detyrës është bërë në një takim të zhvilluar në Zyrën e Presidencës, ku Haxhiu e ka uruar Shiroka-Pulën për zgjedhjen në krye të shtetit.

Haxhiu ka thënë se zgjedhja e Shiroka-Pulës është një nder për Republikën dhe qytetarët e Kosovës, duke vlerësuar përvojën e saj akademike dhe kontributin e dhënë ndër vite.

“Urime edhe një herë për zgjedhjen tuaj dje në Kuvendin e Republikës. Konsideroj që është nder i madh për Republikën, por edhe për të gjithë qytetarët që në krye të këtij institucioni shumë të rëndësishëm është një grua për të cilën unë kam shumë respekt. Kryetare e Akademisë së Shkencave, një profesoreshë shumë e nderuar dhe një person që ka dhënë kontribut shumë të madh kudo që ka vepruar”, ka thënë Haxhiu.

Ajo i ka premtuar Presidentes së re bashkëpunim të plotë gjatë ushtrimit të detyrës.

“Më lejoni që të ju uroj edhe një herë përzemërsisht dhe të ju siguroj që bashkëpunimin tim të plotë do ta keni gjithmonë”, ka deklaruar Haxhiu.

Në fund, Haxhiu i ka uruar Shiroka-Pulës shëndet dhe jetë të gjatë në detyrën e re.

“E paq shëndetin, jetën e gjatë dhe ju priftë e mbara”, ka përfunduar ajo.

Haxhiu ka përshëndetur gjithashtu konsensusin e arritur një ditë më parë në Kuvend për Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe për zgjedhjen e Presidentes së re të Kosovës.