PDK: Zëri i qytetarëve u bë forcë, të hetohet çdo rast i dhunës gjatë protestave
Partia Demokratike e Kosovës ka falënderuar qytetarët, veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së, të cilët për tri javë protestuan në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe në mbështetje të ligjit të iniciuar nga PDK-ja. Në një reagim pas përfundimit të protestave, PDK-ja ka thënë…
Lajme
Partia Demokratike e Kosovës ka falënderuar qytetarët, veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së, të cilët për tri javë protestuan në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe në mbështetje të ligjit të iniciuar nga PDK-ja.
Në një reagim pas përfundimit të protestave, PDK-ja ka thënë se zëri dhe qëndresa e protestuesve kanë qenë forcë për përmbushjen e kësaj kërkese.
PDK-ja ka shprehur gjithashtu solidaritet dhe mirënjohje për personat e lënduar gjatë protestave, duke u uruar shërim të shpejtë.
Në mesin e të lënduarve, sipas PDK-së, ishte edhe ish-deputeti dhe veterani i UÇK-së, Gazmend Bytyqi, për të cilin partia thotë se është ushtruar dhunë e pajustifikueshme.
Sipas PDK-së, Bytyqi tashmë e ka paraqitur rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës.
“U bëjmë thirrje edhe të gjithë qytetarëve të tjerë që konsiderojnë se ndaj tyre janë përdorur masa joproporcionale gjatë protestave, që t’i paraqesin ankesat e tyre në Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet në reagim.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga organet përgjegjëse që të hetojnë, sipas saj, me paanshmëri çdo rast të raportuar për tejkalim të autorizimeve dhe përdorim të pajustifikueshëm të dhunës nga zyrtarët policorë gjatë protestave.
PDK-ja ka theksuar se mbështet Policinë e Kosovës dhe përkushtimin e saj në shërbim të qytetarëve, duke thënë se pikërisht për mbrojtjen e profesionalizmit dhe besimit në këtë institucion, çdo shkelje individuale duhet të trajtohet dhe përgjegjësia të përcaktohet.
“Mirënjohje për secilin që qëndroi për UÇK-në, për drejtësi dhe për dinjitet!”, përfundon reagimi i PDK-së. /Lajmi.net/