Oda Amerikane uron Shiroka-Pulën: Fokusi të kthehet te reformat dhe zhvillimi ekonomik

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur kompletimin e arkitekturës institucionale të Republikës së Kosovës, përmes zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Republikës. Në reagimin e Odës thuhet se me institucionet e Kosovës tashmë plotësisht të konstituuara, fokusi duhet të drejtohet fuqishëm drejt prioriteteve ekonomike dhe strategjike të vendit. Oda Amerikane pos tjerash bëri thirrje…

Lajme

07/10/2026 09:52

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur kompletimin e arkitekturës institucionale të Republikës së Kosovës, përmes zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Republikës.

Në reagimin e Odës thuhet se me institucionet e Kosovës tashmë plotësisht të konstituuara, fokusi duhet të drejtohet fuqishëm drejt prioriteteve ekonomike dhe strategjike të vendit.

Oda Amerikane pos tjerash bëri thirrje për një dinamikë të re në reformat e qeverisjes ekonomike, përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe investimeve, fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe ndërmarrjen e masave që rrisin konkurrueshmërinë dhe mundësojnë rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Funksionaliteti i plotë institucional duhet gjithashtu t’i japë shtysë të re përshpejtimit të integrimit euroatlantik të Kosovës dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë strategjikë. Oda Amerikane mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet e vendit në avancimin e reformave, fuqizimin e sektorit privat dhe kontributin për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, thuhet në njoftim.