KMDLNj kërkon hetim urgjent për ndërhyrjen e Policisë ndaj protestuesve
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës gjatë protestës së mbrëmshme në Prishtinë, duke kërkuar hetim urgjent për mënyrën e përdorimit të forcës ndaj protestuesve dhe qytetarëve. Sipas KMDLNj-së, gjatë mbrëmjes së 5 tetorit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë pa paralajmërim…
Lajme
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës gjatë protestës së mbrëmshme në Prishtinë, duke kërkuar hetim urgjent për mënyrën e përdorimit të forcës ndaj protestuesve dhe qytetarëve.
Sipas KMDLNj-së, gjatë mbrëmjes së 5 tetorit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë pa paralajmërim ndaj protestuesve, duke përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe forcë fizike, të cilat ky institucion i vlerëson si joproporcionale me situatën.
“Gazi lotsjellës u përdorë në masë të madhe sikur që dhuna fizike ishte brutale ndaj një qytetari i cili kur u ushtrua dhunë ndaj tij nuk paraqiste asnjë rrezik për policinë dhe sigurinë. Policia intervenoi pa asnjë paralajmërim duke rrezikuar edhe kalimtarët e rastit , pleq , gra dhe fëmijë që nuk ishin protestues . Policia përdori gaz lotsjellës me afat të skaduar , në sasi të mëdha dhe në mënyrë joproporcionale” .
“KMDLNj ishte në vendin e ngjarjes deri në orët e vona dhe konstaton se përdorimi i dhunës ishte i panevojshëm dhe i shmangshëm”, thuhet në reagim.
Sipas KMDLNj-së, përshkallëzimin e situatës e ka nxitur ndërhyrja e Policisë, pas së cilës, sipas tyre, edhe një pjesë e protestuesve kanë shfaqur sjellje më agresive.
KMDLNj ka theksuar se përkrah të drejtën për protestë për aq kohë sa ajo zhvillohet në mënyrë paqësore dhe nuk ushtrohet dhunë ndaj të tjerëve. Në të njëjtën kohë, Këshilli ka kërkuar respektimin e lirisë së lëvizjes dhe të drejtës së deputetëve për të ushtruar mandatin e tyre pa presion.
“KMDLNj përkrah fuqishëm të drejtën e deputetëve që të votojnë në përputhje me mandatin e tyre, pa iu nënshtruar asnjë presioni dhe krejtësisht sipas vullnetit të lirë që ua garanton ligji dhe mandati”, thuhet në reagim.
Këshilli ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të hetojë me urgjencë rastet ku dyshohet se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre duke përdorur forcë të tepruar ndaj protestuesve, qytetarëve dhe kalimtarëve të rastit.