Krasniqi: Votoni Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës, mos e bëni UÇK-në pjesë të pazareve politike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta votojnë në lexim të dytë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Krasniqi ka thënë se ky ligj nuk duhet të shndërrohet në çështje të pazareve politike, duke rikujtuar se në leximin e parë kishte marrë…

Lajme

06/10/2026 13:30

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta votojnë në lexim të dytë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Krasniqi ka thënë se ky ligj nuk duhet të shndërrohet në çështje të pazareve politike, duke rikujtuar se në leximin e parë kishte marrë 91 vota.

“Dënimi politik luftohet me betejë politike. Votoni ligjin! Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së nuk duhet të jetë pazar politik për Presidentin”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka ngritur pyetjen se përse ligji nuk po kalon në lexim të dytë, duke kërkuar që çështja e UÇK-së të mos përdoret për përplasje politike.

“Ky ligj është për UÇK-në, jo për PDK-në. Votone ligjin. Pastaj mund të gjendet komunikimi dhe zgjidhja edhe për Presidentin”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione dhe se nuk duhet të shkojë drejt zgjedhjeve për shkak të situatës së krijuar institucionale.

“Presidenti duhet të jetë i popullit, jo i një partie politike”, ka shkruar ai.

Deputeti i PDK-së i është drejtuar edhe kryeministrit Albin Kurti, duke përmendur rastin e babait të tij, Jakup Krasniqit, i cili po mbahet në Hagë, si dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së.

“Nuk po kërkojmë mëshirë. Po kërkojmë që ju sot të bëni për Jakupin, Hashimin, Kadriun, Rexhën, Calin dhe Pjetrin atë që ata kanë bërë për ty, për ne dhe për të gjithë ata që sot e gëzojnë lirinë”, ka shkruar Krasniqi.

Në fund, ai ka bërë thirrje për angazhim politik për kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë.

“Luftoni për lirinë e tyre! Luftoni që Jakupi, Rexha, Hashimi, Kadriu, Cali, Pjetri të kthehen në atdhe! Votoni ligjin! Mos e bëni UÇK-në pjesë të pazareve politike”, ka thënë Krasniqi. /Lajmi.net/