Sindikata e Policisë: Protesta është e drejtë, por dhuna ndaj zyrtarëve nuk mund të tolerohet

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit gjatë protestave në Prishtinë, duke shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në terren. Në një komunikatë për media, Sindikata ka theksuar se e drejta për protestë dhe tubim paqësor është një e drejtë themelore dhe duhet të respektohet, por ka dënuar çdo…

Lajme

06/10/2026 12:49

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit gjatë protestave në Prishtinë, duke shprehur mbështetje për zyrtarët policorë të angazhuar në terren.

Në një komunikatë për media, Sindikata ka theksuar se e drejta për protestë dhe tubim paqësor është një e drejtë themelore dhe duhet të respektohet, por ka dënuar çdo akt dhune ndaj policëve, institucioneve dhe qytetarëve, raporton lajmi.net

SPK ka dënuar veçanërisht hedhjen e mjeteve piroteknike dhe mjeteve të forta, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrës.

“Policët e Kosovës nuk janë palë në asnjë debat politik. Ata janë profesionistë të uniformuar, të cilët në këto rrethana kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe të garantojnë sigurinë e të gjithëve”, thuhet në komunikatë.

Sindikata ka shprehur mbështetje për pjesëtarët e Policisë që, sipas saj, në situata të tensionuara vazhdojnë të kryejnë detyrën në ruajtje të rendit, institucioneve dhe sigurisë së qytetarëve.

“Policët janë bijtë dhe bijat tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaja. Shumë prej tyre kanë qenë bashkëluftëtarë tuaj dhe sot vazhdojnë t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

SPK ka bërë thirrje që dallimet politike dhe qëndrimet individuale të mos shndërrohen në përplasje me zyrtarët policorë, ndërsa ka theksuar se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin profesional të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës./Lajmi.net/