Hoti për shkarkimin e Isufajt: Qeveria Kurti nuk po kërkon drejtësi të pavarur, por drejtësi që i përshtatet pushtetit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. KPK-ja e mori vendimin më 2 tetor, duke përmendur ndër të tjera keqmenaxhimin, mospërmbushjen e detyrave dhe standardeve të performancës. Hoti ka ngritur dyshime për…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. KPK-ja e mori vendimin më 2 tetor, duke përmendur ndër të tjera keqmenaxhimin, mospërmbushjen e detyrave dhe standardeve të performancës.
Hoti ka ngritur dyshime për prapavijë politike të vendimit, duke e lidhur atë me rastet që, sipas tij, janë trajtuar nga Prokuroria Speciale, transmeton lajmi.net.
“Aktakuza për krimet e luftës në Prekaz. Hetime mbi skandalet e ministrave të qeverisë Kurti. Por, ‘performancë e dobët’. Dhe çfarë ndodhë? Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, largimi i Isufajt nga detyra vjen në një kohë kur Prokuroria Speciale po merret me raste të ndjeshme.
“Një njeri i luftës për lirinë e Kosovës, një zyrtar i shtetit me integritet të lartë profesional sot largohet nga detyra pikërisht kur Prokuroria po merret me dosje tejet të ndjeshme”, ka deklaruar ai.
Hoti ka akuzuar Qeverinë Kurti se synon ndikim mbi institucionet e drejtësisë.
“Qeveria Kurti nuk po kërkon drejtësi të pavarur, por drejtësi që i përshtatet pushtetit”, ka shkruar ai.
Në fund, Hoti ka thënë se largimi i një prokurori për shkak të veprimeve që nuk i përshtaten pushtetit do të përbënte, sipas tij, problem për sundimin e ligjit.
“Sepse kur prokurori bëhet problem vetëm pse nuk është i kontrollueshëm, problemi nuk është prokurori. Problemi është pushteti që kërkon kontroll mbi drejtësinë”, ka shkruar Hoti./lajmi.net/