Albert Prenkaj: Kosovës nuk i duhet të ushqejë sentimentin anti-perëndimor! Mos të digjen të gjitha kartat

Shkruan: Albert Prenkaj Diplomati i akredituar në shtetin pritës ka për detyrë, në përputhje me udhëzimet e shtetit të tij, të promovojë dhe të mbrojë interesat e vendit që përfaqëson, si dhe të bashkëpunojë me autoritetet e vendit pritës, me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Deklarata e Ambasadorit të Mbretërisë…

Opinion

30/09/2026 15:03

Shkruan: Albert Prenkaj

Diplomati i akredituar në shtetin pritës ka për detyrë, në përputhje me udhëzimet e shtetit të tij, të promovojë dhe të mbrojë interesat e vendit që përfaqëson, si dhe të bashkëpunojë me autoritetet e vendit pritës, me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Deklarata e Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është nxjerrë nga konteksti i aktgjykimit të 16 shtatorit të trupit gjykues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës. Nuk mund të presim nga një shtet, sado miqësor të jetë, të shfaqë të njëjtin sentiment apo emocion që mund të manifestohet në spektrin politik, shoqërinë civile apo te qytetarët.

Në rastin konkret, Mbretëria e Bashkuar respekton gjykatën e themeluar nga Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, si dhe aktgjykimin e shkallës së parë, pa hyrë në vlerësimin nëse ky aktgjykim është i drejtë apo jo.

Ajo që duhet vënë në pah, dhe që opinioni publik në Kosovë do të duhej ta kishte të qartë, është se përfshirja e kësaj çështjeje në narrativën politike të Albin Kurtit, të cilën ai e ka ndërtuar për gjashtë vite radhazi në raport me faktorin perëndimor, rrezikon ta çojë vendin, me vetëdije të plotë, drejt një humbjeje të mëtejshme të hapësirës politike dhe diplomatike. Kjo mund të shndërrohet në një proces izolimi, me apo pa vetëdije, dhe në një rrugëtim drejt margjinalizimit politik e diplomatik.

Të ushqyerit dhe forcimi i një mendësie anti-perëndimore është strategjikisht i gabuar. Një qasje e tillë rrezikon të mbyllë edhe ato pak kanale komunikimi që i kanë mbetur Kosovës me Perëndimin.

Andaj, mendoj se ka hapësirë për kritika, debat dhe mospajtime. Por debati me vendet mike nuk do të duhej të prekte fundamentin e sistemit të vlerave shtetërore e institucionale, por as atyre shoqërore që i kemi të përbashkëta.

Një debat konstruktiv, me kokë të ftohtë, me opsione dhe kërkesa konkrete për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhet shteti dhe shoqëria, përmes bashkëpunimit dhe koordinimit, mund të ofrojë një zgjidhje të pranueshme.

Reagimet, e aq më tepër veprimet emotive, madje edhe instinktive, nuk janë mjet për adresimin apo zgjidhjen e problemeve.

Ashtu siç janë realizuar temat substanciale të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit, besoj se edhe kjo çështje tejet e rëndësishme – ruajtja e pavarësisë së Gjykatës Speciale, si dhe përballja me vrragën e rëndë që ajo ka lënë në historinë dhe të ardhmen e shtetit – duhet të trajtohet përmes koordinimit me Perëndimin.

Krijimi i një atmosfere anti-perëndimore do të ishte një kapitullim përballë projeksioneve që kanë predikuar përplasjen dhe largimit të Kosovës nga Perëndimi.

Nuk është momenti për t’i djegur të gjitha kartat. Kosova ka nevojë për komunikim, koordinim dhe maturi politike – veçanërisht me ata që kanë ende konsiderohen partnerët e saj strategjikë.