Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës raporton për keqpërdorim të resurseve të shtetit nga VV-ja në kohë zgjedhore, “kushte të pabarabarta gare”

Keqpërdorim i resuserve shtetërore për epërsi zgjedhore. Ky është konstatim i dhënë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) për zgjedhjet e 7 qershorit në lidhje me kursin e ndjekur nga pushteti i Vetëvendosjes mu në kohëra zgjedhore. Në raportin e publikuar dhe lexuar raportuesi rumun në PACE, Iulian Bulai, qysh në fillim të…

Lajme

30/09/2026 11:32

Keqpërdorim i resuserve shtetërore për epërsi zgjedhore.

Ky është konstatim i dhënë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) për zgjedhjet e 7 qershorit në lidhje me kursin e ndjekur nga pushteti i Vetëvendosjes mu në kohëra zgjedhore.

Në raportin e publikuar dhe lexuar raportuesi rumun në PACE, Iulian Bulai, qysh në fillim të tekstit përmenden problemet “e vazhdueshme” strukturore në zgjedhjet kosovare.

Aty shkruhet se zgjedhjet “nxorrën në pah sfida të vazhdueshme strukturore”, përfshirë “kushte të pabarabarta gare që erdhën si pasojë e keqpërdorimit të burimeve administrative nga qeveria në detyrë.”

Në të njëjtin raport, PACE vlerëson se procesi zgjedhor u zhvillua pa incidente të mëdha dhe me administrim profesional, raporton Nacionale.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 u zhvilluan në mënyrë të qetë, të rregullt dhe profesionale, pa incidente të mëdha”

PACE thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i administroi zgjedhjet efektivisht dhe se mekanizmat për zgjidhjen e kontesteve funksionuan mirë.

Sipas raportit, votuesit “ishin në gjendje ta ushtronin lirisht të drejtën e tyre për të votuar”.

Por raporti rendit edhe rënien e pjesëmarrjes, mungesën e debatit përmbajtësor, dezinformimin me inteligjencë artificiale, gjuhën e urrejtjes dhe dhunën digjitale.

Gjetja për keqpërdorimin e burimeve administrative përkon edhe me shqetësimet që organizata vendore kanë ngritur për shpenzimet publike në periudha zgjedhore.

Qeveria në detyrë pati ndarë 100 euro për pensionistë, fëmijë, punonjës jopublikë dhe studentë, krahas rritjes së shtesave për lehonat.

Opozita dhe vëzhgues të politikës i patën cilësuar këto ndërhyrje si “blerje votash”, ndërsa organizatat monitoruese kanë folur për avantazh të padrejtë.

Rasti më i përfolur në Kosovë ishte ai i para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, kur studentët morën SMS nga Zyra e Kryeministrit.

Mesazhi, i nënshkruar nga Albin Kurti, thoshte: “…ju jeni kualifikuar si përfitues i shtesës së njëhershme prej 100 EUR… I juaji, Albin Kurti…”

Instituti Kosovar për Drejtësi edhe ka nisur iniciativë që përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral të sanksionohet si vepër penale.

IKD synon që nisma t’i dërgohet Kuvendit për ndryshimin e Kodit Penal.

“Por këto politika duhet të ndërtohen mbi ligj. Duhet të jenë të qëndrueshme. Duhet të jenë të parashikueshme. Jo të varen nga afërsia e zgjedhjeve.”

Kështu kishte deklaruar Naim Jakaj nga IKD, duke thënë se ndarjet e mjeteve ngrenë dyshime serioze.

“Paraja publike është e qytetarëve. Ajo duhet të përdoret për interes publik. Jo për interesa partiake apo elektorale.”

Edhe Demokracia në Veprim kishte vlerësuar se pagesat e njëhershme krijonin avantazh të padrejtë dhe binin ndesh me legjislacionin zgjedhor.

Sipas DnV-së, Kuvendi nuk kishte miratuar ndryshimet buxhetore, ndërsa ligji kufizon vendimmarrjen e një qeverie në detyrë për çështje financiare.

PACE e lidh çështjen me krizën institucionale, duke kujtuar afatin e 6 tetorit për zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e një shpërndarjeje tjetër.

“Sfida kryesore nuk është vetëm organizimi i zgjedhjeve të besueshme, por edhe sigurimi që rezultatet të prodhojnë institucione funksionale”, thuhet në raport, në përkthim.

“Zgjedhjet e vetme nuk mund ta zgjidhin një ngërç më të thellë politik”, paralajmëron PACE.