Kurti thotë se brenda javës do të dalin me përgjigje për Ligjin e Speciales: Po presim edhe Zyrën Ligjore dhe Departamentin për Buxhet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur në konferencë për media në lidhje me projektligjin për Gjykatën Speciale në Hagë, për të cilën PDK ka kërkuar ndryshim. Ai ka thënë është në komunikim të drejtpërdrejtë me kryetarët e dy partive opozitare, me Bedri Hamzën kryetarin e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun kryetarin e LDK-së. “Është një vendim…

Lajme

30/09/2026 12:19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur në konferencë për media në lidhje me projektligjin për Gjykatën Speciale në Hagë, për të cilën PDK ka kërkuar ndryshim.

Ai ka thënë është në komunikim të drejtpërdrejtë me kryetarët e dy partive opozitare, me Bedri Hamzën kryetarin e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun kryetarin e LDK-së.

“Është një vendim për të përshëndetur ai i së hënës, kur me 99 vota për u miratua deklarata për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Aty ne kemi shprehur qartë shqetësimin tonë të thellë me aktgjykimin e padrejtë në shkallë të parë, dhe zotimi tonë për strategji shtetërore drejt Apelit ku duhet të dalin triumfues. Është e rëndësishme që t’i mbledhim jo vetëm energjitë, por edhe kokat e fushës së caktuar e kjo është përgjithësisht ekspertizë juridike në mënyrë që në Apel të bëhen korrigjimet e nevojshme dhe të triumfoj drejtësia”, ka thënë Kurti.

Ai për iniciativën ligjore të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se është çështje e Kuvendit të Kosovës, që i është drejtuar zyrës ligjore për opinion në Kryeministri.

“Tash zyra ligjore në Kryeministri ka kërkuar vendim nga zyra ligjore në MD, gjithashtu nga departamenti për buxhet në Ministri të Financave. Kjo është procedurë e rregullt, qysh bëhet me secilën iniciativë ligjore. Prej informimeve që kam nga Ministritë përkatëse, brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu edhe vlerësimin financiar të departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave dhe menjëherë do t’ia japim përgjigjen Kuvendit të Republikës dhe aty do të vazhdoj më tutje procedura”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/