OVL e UÇK-së falënderon tifogrupet për protestën: Rivaliteti na ndan, por UÇK-ja na bashkon

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së iu ka shprehur mirënjohje për mbështetësit dhe grupet e organizuara të tifozëve të klubeve shqiptare, për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre ndaj UÇK-së dhe kujtimit të të rënëve për liri. Në një reagim në Facebook, OVL e UÇK-së ka theksuar se rivaliteti sportiv mund të ndajë tifozët në…

Lajme

27/09/2026 21:54

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së iu ka shprehur mirënjohje për mbështetësit dhe grupet e organizuara të tifozëve të klubeve shqiptare, për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre ndaj UÇK-së dhe kujtimit të të rënëve për liri.

Në një reagim në Facebook, OVL e UÇK-së ka theksuar se rivaliteti sportiv mund të ndajë tifozët në ngjyra dhe tribuna, por sipas saj, UÇK-ja i bashkon shqiptarët në sakrificë, liri dhe dinjitet kombëtar.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së shpreh mirënjohje të thellë për mbështetësit dhe grupet e organizuara të tifozëve të çdo klubi shqiptar, solidariteti dhe respekti i të cilëve nderojnë UÇK-në dhe kujtimin e të rënëve për liri. Rivaliteti mund të ndajë ngjyrat dhe tribunat, por UÇK-ja na bashkon: në sakrificë, në liri, në dinjitet kombëtar. Ky bashkim nuk është thjesht gjest. Ai dëshmon se shtetësia dhe sovraniteti i Kosovës u fituan me çmimin më të lartë dhe se mbrojtja e tyre mbetet detyrë e çdo brezi. Kërkojmë që ky amanet të ruhet i shenjtë, mbi çdo ndasi, kudo që mblidhen shqiptarët”, ka deklaruar OVL-UÇK.