Çitaku për paragrafin e Speciales: Si po cilësohet lufta për pavarësinë e Kosovës?
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me një paragraf të vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, i cili trajton qëllimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për pavarësinë e Kosovës dhe mënyrën e ndjekur për arritjen e këtij qëllimi. Çitaku ka publikuar paragrafin 34 dhe ka kërkuar që ai të lexohet me vëmendje,…
Lajme
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me një paragraf të vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, i cili trajton qëllimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për pavarësinë e Kosovës dhe mënyrën e ndjekur për arritjen e këtij qëllimi.
Çitaku ka publikuar paragrafin 34 dhe ka kërkuar që ai të lexohet me vëmendje, duke ngritur pikëpyetje lidhur me mënyrën se si mund të interpretohet përshkrimi i luftës së UÇK-së.
“Lexojeni me shumë vëmendje këtë paragraf. Pastaj më thoni se këtu nuk po gjykohet vetë qëllimi i luftës së UÇK-së”, ka shkruar Çitaku.
Në paragrafin e publikuar prej saj thuhet se UÇK-ja ishte organizatë politike dhe ushtarake dhe se një nga qëllimet e saj ishte pavarësia e Kosovës. Po aty përshkruhet përdorimi i forcës ushtarake dhe dhunës ndaj personave që kundërshtonin këtë qëllim.
Çitaku ka ngritur shqetësimin se një formulim i tillë mund të ketë ndikim në mënyrën se si interpretohet lufta e UÇK-së në të ardhmen.
“Lexojeni edhe një herë dhe mendoni çfarë precedenti mund të krijojë ky arsyetim për mënyrën se si do të shkruhet e interpretohet lufta jonë në të ardhmen”, ka shkruar ajo.
Ajo ka kërkuar që diskutimi për këtë çështje të mos fokusohet vetëm te katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Mos lejoni që mosdurimi ndaj katër emrave t’ju verbojë. Sepse çështja këtu shkon përtej Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, ka deklaruar Çitaku.
Sipas saj, formulimi i përdorur në këtë paragraf ngre një çështje më të gjerë rreth mënyrës se si mund të interpretohet lufta për pavarësinë e Kosovës.
“Nëse lufta kundër atyre që kundërshtonin pavarësinë trajtohet si pjesë e një ndërmarrjeje kriminale, atëherë pyetja nuk është më vetëm se çfarë kanë bërë katër individë. Pyetja është se si po cilësohet vetë lufta për pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ajo. /Lajmi.net/