Familja Bunjaku pritnin në këtë përvjetor drejtuesit e UÇK-së: Gjykim i padrejtë në Hagë, thirrje për unitet
Çdo 24 shtator, familja e heroit Afrim Bunjaku e kujton me krenari dhe dhimbje policin që ra në krye të detyrës, duke mbrojtur vendin. Por, përvjetori i rënies së tij këtë vit po përjetohet me emocione të veçanta, pasi familja kishte shpresuar që në këtë ditë, në mesin e tyre, të ishin edhe drejtuesit e…
Lajme
Çdo 24 shtator, familja e heroit Afrim Bunjaku e kujton me krenari dhe dhimbje policin që ra në krye të detyrës, duke mbrojtur vendin.
Por, përvjetori i rënies së tij këtë vit po përjetohet me emocione të veçanta, pasi familja kishte shpresuar që në këtë ditë, në mesin e tyre, të ishin edhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u dënuan nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në këtë përvjetor, familjarët thonë se krenaria për sakrificën e Afrimit është e madhe, por dhimbjes për humbjen e tij i është shtuar edhe ndjenja e padrejtësisë që, sipas tyre, lidhet me vendimin e fundit të Gjykatës Speciale.
Arton Bunjaku, djali i axhës së Afrimit, tha se familja çdo vit e përjeton këtë datë me ndjenja të përziera.
“Ne si familje çdo herë në këtë datë normalisht që ndiejmë dhimbje dhe njëkohësisht edhe kemi krenari, pasi që Afrimi nuk ra vetëm për vete, por ra për Kosovën, dha më të shtrenjtën, jetën e tij. Por në këtë përvjetor ndihemi me shumë emocione të përziera, pasi që kemi pritur që çlirimtarët tanë të jenë në mesin tonë”, tha ai.
Sipas tij, në Hagë ishte një gjykim i padrejtë dhe presin që drejtuesit e UÇK-së së shpejti të lirohen dhe të vijnë në atdhe.
“Na tani vetëm sa i përcollëm tre djemtë e prijësve të luftës, çlirimtarëve të Kosovës. Sa ishim krenarë, ndjejmë edhe dhimbje, pasi që drejtësia nuk po vihet në vend dhe sakrifica e tyre po mohohet, dhe gjithmonë si popull kemi qenë të shtypur. Dhe kjo tregon më së miri në gjykimin e fundit që patëm në Hagë. Është një gjykim i padrejtë dhe presim që së shpejti të lirohen dhe të vijnë në vendlindjen e vet. Ata janë çlirimtarë, janë heronj të gjallë dhe nga këtu i bëj thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të merr masa dhe t’i lirojnë sa më parë. E agresorët, të cilët enden lirshëm nëpër Serbi, t’i thërrasin para drejtësisë dhe t’i gjykojnë dhe t’i japin dënimin e merituar. Nga këtu i bëj thirrje edhe të gjitha ambasadave, ta përcjellin për së afërmi gjendjen në Kosovë, e cila nuk është vetëm UÇK-ja. UÇK-ja është e gjithë popullit. Të gjithë jemi UÇK”, tha ai.
Bunjaku tha se sakrifica e atyre që ranë për lirinë e Kosovës nuk duhet të harrohet dhe kërkoi unitet të qytetarëve.
“Nuk mund të tjetërsohet liria e Kosovës dhe mundi i djemve e bijave tona, të cilat deri në këtë moment e dhanë çdo gjë më të shtrenjtën për Kosovën. Andaj, i bëj thirrje edhe gjithë popullit të jenë unifikues dhe të dërgojnë një mesazh të bashkësisë ndërkombëtare dhe të jemi të barabartë dhe të mos na mohohen të drejtat tona”, tha Bunjaku.
Rreshteri Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit, gjatë një sulmi terrorist serb, në krye me terroristin Milan Radoiçiq, ndaj Policisë së Kosovës.