AKR u bën thirrje partive: Deri më 6 tetor të gjendet konsensusi për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës
Aleanca Kosova e Re (AKR) ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar nga partitë parlamentare që deri më 6 tetor të gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. AKR-ja ka vlerësuar se në këtë moment interesat partiake duhet t’i lënë vend përgjegjësisë shtetërore, duke theksuar nevojën për një…
Lajme
Aleanca Kosova e Re (AKR) ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar nga partitë parlamentare që deri më 6 tetor të gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
AKR-ja ka vlerësuar se në këtë moment interesat partiake duhet t’i lënë vend përgjegjësisë shtetërore, duke theksuar nevojën për një President që gëzon konsensus sa më të gjerë politik dhe shoqëror.
Reagimi i plotë:
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese e bën të qartë se vendi ndodhet përpara një afati vendimtar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Deri më 6 tetor, partitë parlamentare duhet të bëjnë çmos për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për t’i dhënë Kosovës një President që gëzon konsensus sa më të gjerë politik dhe shoqëror.
Në një moment kaq të ndjeshëm për vendin, interesat partiake duhet t’i lënë vend përgjegjësisë shtetërore.
Aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bën edhe më të domosdoshme që Kosova të ketë institucione të konsoliduara, funksionale dhe një skenë politike të aftë të bashkërendojë veprimet e saj për çështjet me interes kombëtar. Fokusi i institucioneve tona duhet të jetë tek apelimi i vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara si dhe tek ofrimi i mbështetjes së nevojshme për të garantuar që historia jonë nuk rishkruhet nga vendimet gjyqësore të motivuara politikisht.
Aleanca Kosova e Re u bën thirrje të gjitha partive parlamentare që të tejkalojnë dallimet dhe kalkulimet e ngushta politike dhe të angazhohen seriozisht për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.
Tash më shumë se kurrë kërkohet pjekuri politike, dialog e unitet.
Kosova është më e rëndësishme se secila parti. Përballë sfidave që na presin, institucionet e vendit duhet të jenë funksionale, ndërsa spektri politik duhet të jetë i aftë të bashkohet aty ku kërkohet mbrojtja e interesit të Republikës së Kosovës.