Ministria sqaron uljen e numrit të përfituesve të shtesave për fëmijë: Verifikimet janë në vazhdim, jo çdo ulje nënkupton keqpërdorim

Ministria për Familje, Punë dhe Vlera të Ushtrisë Çlirimtare ka reaguar pasi është raportuar se ka rënë numri i përfituesve të shtesave për fëmijë nga muaji korrik, duke u aluduar se ato shtesa po i përfitonin edhe fëmijë nga mërgata. Nga kjo Ministri, ka thënë se është e paparanueshme që pa asnjë argument, të fabrikohen…

Lajme

23/09/2026 15:58

Ministria për Familje, Punë dhe Vlera të Ushtrisë Çlirimtare ka reaguar pasi është raportuar se ka rënë numri i përfituesve të shtesave për fëmijë nga muaji korrik, duke u aluduar se ato shtesa po i përfitonin edhe fëmijë nga mërgata.

Nga kjo Ministri, ka thënë se është e paparanueshme që pa asnjë argument, të fabrikohen pretendime që i kanë quajtur të paqena.

“Numri i përfituesve në kuadër të Programit të Shtesave për Fëmijë është dinamik dhe ndryshon në vazhdimësi, si rezultat i zbatimit të kritereve të përcaktuara për këtë program dhe përditësimit të të dhënave të përfituesve. Në këto ndryshime ndikojnë një sërë faktorësh, përfshirë përfshirjen e fëmijëve të rinj në program, arritjen e moshës 16-vjeçare, ndryshimin e rrethanave të përfituesve, përditësimin dhe harmonizimin e të dhënave me regjistrat institucionalë, si dhe proceset e rregullta të verifikimit të përmbushjes së kritereve. Në rastet kur gjatë administrimit të programit nevojiten verifikime shtesë, pagesa mund të suspendohet deri në përfundimin e procedurave përkatëse. Suspendimi gjatë procesit të verifikimit nuk nënkupton automatikisht largim përfundimtar nga programi apo konstatim të keqpërdorimit”, thuhet në komunikatë. 

Ata kanë thënë se të gjitha vendimet lidhur me vazhdimin apo ndërprerjen e përfitimit merren në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me aktet në fuqi, duke respektuar edhe të drejtat procedurale të palëve.

 “Rrjedhimisht, diferenca ndërmjet numrit të përfituesve në muaj të ndryshëm nuk mund të konsiderohet në tërësi si numër i personave që kanë keqpërdorur programin dhe as të përkthehet automatikisht në dëm financiar. Çdo rast trajtohet dhe verifikohet individualisht, ndërsa aty ku eventualisht konstatohet përfitim i pabazuar, veprohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ministria do të vazhdojë administrimin dhe verifikimin e rregullt të programit, me qëllim që mbështetja të vazhdojë të ofrohet për të gjithë fëmijët që plotësojnë kriteret e përcaktuara”, thuhet mes tjerash. /Lajmi.net/