Kushtetuesja thotë se afati për presidentin nisi më 8 gusht, ndërsa Kuvendi u konstituua me vonesë- Më 2025 Parlamenti u konsiderua i pakonstituuar, sot i konstituuar
Në vitin 2025, mungesa e një nënkryetari bëri që Kuvendi të konsiderohej i pakonstituuar; në vitin 2026, edhe pa një nënkryetar, Gjykata e konsideroi Kuvendin të konstituuar. Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit ka hapur një çështje të rëndësishme juridike: si mund të konsiderohet sot Kuvendi i konstituuar pa zgjedhjen e…
Lajme
Në vitin 2025, mungesa e një nënkryetari bëri që Kuvendi të konsiderohej i pakonstituuar; në vitin 2026, edhe pa një nënkryetar, Gjykata e konsideroi Kuvendin të konstituuar.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit ka hapur një çështje të rëndësishme juridike: si mund të konsiderohet sot Kuvendi i konstituuar pa zgjedhjen e njërit prej nënkryetarëve, kur vetëm një vit më parë e njëjta Gjykatë kishte konstatuar se mungesa e një nënkryetari nënkuptonte se seanca konstituive nuk kishte përfunduar?
Gjykata Kushtetuese vendosi më 23 shtator 2026 se Kuvendi është konstituuar, ndonëse ende nuk është zgjedhur nënkryetari që i takon grupit të dytë më të madh parlamentar, PDK-së. Gjykata njëkohësisht kërkoi që deputetët ta zgjedhin sa më parë këtë nënkryetar. Po ashtu, ajo konstatoi se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Por një vendim i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2025 kishte prodhuar një përfundim tjetër në një situatë në të cilën gjithashtu mungonte një nënkryetar i Kuvendit.
Në rastin KO265/25, të vendosur më 30 shtator 2025, nuk ishte zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Atëherë Gjykata kishte konstatuar shprehimisht se “Seanca Konstituive e Kuvendit […] nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb” dhe, si pasojë, se “Kuvendi nuk është konstituuar” në pajtim me nenet 66 dhe 67 të Kushtetutës.
Gjykata madje kishte urdhëruar që seanca konstituive të vazhdonte dhe të përfundonte brenda afatit të mbetur prej 12 ditësh.
Pra, rezultati i dy rasteve, të paktën në pamje të parë, është dukshëm i ndryshëm.
Në vitin 2025: një nënkryetar mungonte – Kuvendi nuk konsiderohej i konstituuar.
Në vitin 2026: një nënkryetar mungon – Kuvendi konsiderohet i konstituuar, ndërsa zgjedhja e tij kërkohet të bëhet më vonë.
Çfarë kishte thënë më herët Kushtetuesja për përfundimin e konstituimit?
Çështja bëhet edhe më interesante kur merret parasysh jurisprudenca më e hershme e Gjykatës.
Në aktgjykimin KO119/14, Gjykata kishte trajtuar konstituimin e Kuvendit dhe kishte theksuar se grupet parlamentare regjistrohen pas konstituimit të Kuvendit, të cilin e lidhte me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Edhe në vendimet që pasuan krizën institucionale të vitit 2025, Gjykata kishte kërkuar që në kuadër të seancës konstituive të zgjidheshin Kryetari dhe nënkryetarët.
Prandaj vendimi i fundit ngre një pyetje juridike që nuk mund të anashkalohet: a ka ndryshuar Gjykata standardin se kur përfundon konstituimi i Kuvendit, apo ekziston një dallim kushtetues mes dy rasteve që e arsyeton rezultatin e ndryshëm?
E diçka edhe më komplekse në këtë rast është absurditeti i aktgjykimit të sotëm nga Gjykata Kushtetuese.
Në njërën pikë, Gjykata Kushtetuese thotë se Kuvendi nuk është konsistuar në afatin Kushtetues dhe se konstituimi ndodhi madje me 30 ditë vonesë… ku tutje gjithashtu thotë se edhe pse Kuvendi “është konstituuar” jashtë afatit kushtetues dhe pa plotësimin e Kryesisë edhe me nënkryetarin e partisë së dytë (PDK), zgjedhja e Qeverisë së Kosovës nuk është anti-kushtetues.
Shto këtu deklarimin tjetër.
Gjykata Kushtetuese thotë se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit nis nga data 8 gusht, edhe pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka respektuar këtë afat për konstituimin e kuvendit si dhe për zgjedhjen e qeverisë.
Kushdo që e ka lexuar këtë aktgjykim në fakt bie në një pikëpyetje të madhe- se ky aktgjykim është jashtë logjikës elementare njerëzore, se lërë më nga ajo juridike dhe kushtetuese.
Në fakt përmes këtij aktgjykimi Kushtetuesja vetëm se ka ngritur edhe disa pikëpyetje të tjera.
Njoftimi nga gjykata më e lartë në vend vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës kontestoi edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Më vonë gjatë ditës u votua edhe Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti. Kabineti qeverisës është po i njëjti me atë të kaluarin dhe të pranishëm në seancën për zgjedhjen e Qeverisë nuk ishin PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca.
Gjykata, njëzëri, vendosi:
- TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
- TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
III. TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
- TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
- TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
- TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;
VII. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
VIII. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
- TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës./Lajmi.net/