DHTIK dhe ATK forcojnë dialogun me komunitetin e biznesit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, në kuadër të angazhimeve të saj për përfaqësimin e interesave të bizneseve anëtare dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet publike, ka zhvilluar një bashkëbisedim me drejtuesit e Administratës Tatimore të Kosovës. Drejtori Ekzekutiv i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, tha se takime të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të…
Lajme
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, në kuadër të angazhimeve të saj për përfaqësimin e interesave të bizneseve anëtare dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet publike, ka zhvilluar një bashkëbisedim me drejtuesit e Administratës Tatimore të Kosovës.
Drejtori Ekzekutiv i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, tha se takime të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Dhomës për forcimin e bashkëpunimit me institucionet dhe agjencitë publike.
Ai theksoi se një komunikim i rregullt dhe i drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit është i rëndësishëm për identifikimin dhe adresimin më të shpejtë të sfidave me të cilat përballen bizneset dhe ekonomia në përgjithësi.
“Sidomos në kohërat që po jetojmë, këto takime janë më se të nevojshme. Koordinimi më i mirë ndërmjet institucioneve publike dhe përfaqësuesve të bizneseve mund të kontribuojë drejtpërdrejt në zgjidhjen e problemeve dhe në krijimin e një klime më të përshtatshme për të bërit biznes”, citohet Ahmeti në komunikatë.
Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, prezantoi angazhimet dhe masat e ndërmarra nga institucioni që drejton, duke theksuar një sërë veprimesh që synojnë lehtësimin e proceseve dhe mbështetjen e bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi.
Hyseni foli, ndër të tjera, për masat dhe zhvillimet që lidhen me projektin për arkat digjitale, mbledhjen e TVSH-së brenda vendit, si dhe lehtësime të tjera të ndërmarra në funksion të bizneseve.
Gjatë bashkëbisedimit, bizneset anëtare të DHTIK-së paraqitën sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen në aktivitetin e tyre, duke ngritur çështje që lidhen me administrimin tatimor dhe zbatimin praktik të procedurave.