Aktakuzë ndaj katër personave në Suharekë, dyshohet për 716 mijë euro përfitim nga tejkalimet në ndërtim
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërtim pa leje dhe punime ndërtimore të kundërligjshme. Sipas komunikatës së Prokurorisë, të pandehurit H.M. dhe A.D. dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa N.B. akuzohet për “Ndërtim pa leje”…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërtim pa leje dhe punime ndërtimore të kundërligjshme.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, të pandehurit H.M. dhe A.D. dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa N.B. akuzohet për “Ndërtim pa leje” dhe A.H. për “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.
Rasti lidhet me dyshimet për parregullsi gjatë mbikëqyrjes dhe realizimit të punimeve ndërtimore në një objekt në Komunën e Suharekës.
Sipas aktakuzës, H.M., në cilësinë e Inspektorit të Ndërtimtarisë në Komunën e Suharekës, dhe A.D., drejtor i Inspeksioneve, nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme pas konstatimit të parregullsive në objekt.
Prokuroria thotë se, edhe pse investitori ishte urdhëruar t’i ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore, kontrolli i mëtejshëm nuk ishte kryer brenda afatit të përcaktuar.
Gjatë një inspektimi të mëvonshëm, sipas aktakuzës, gjendja e objektit nuk është pasqyruar në mënyrë reale dhe nuk janë evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore.
Në anën tjetër, investitori N.B. dyshohet se objektin e ka ndërtuar në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit. Sipas Prokurorisë, objekti ishte lejuar me etazhitet B+P+2, ndërsa është realizuar me B+P+3.
Po ashtu, dyshohet se janë tejkaluar vijat ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.
Sipas aktakuzës, këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.
Ndërkaq, A.H., si pronar i kompanisë ndërtimore “B.P.”, e cila ka realizuar projektimin dhe punimet në objekt, dyshohet se ka kryer punime në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Lajmi.net/