​Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” kërkon gjendje të jashtëzakonshme dhe zhbërjen e Speciales

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka kërkuar nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në vend. Përmes një memorandumi, kjo Qendër ka kërkuar po ashtu nga drejtuesit e partive politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që të arrijnë…

Lajme

22/09/2026 16:18

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka kërkuar nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në vend.

Përmes një memorandumi, kjo Qendër ka kërkuar po ashtu nga drejtuesit e partive politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që të arrijnë konsensus për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Kërkesat vijnë pas aktgjykimit të 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet.

Kryetari i Qendrës, Bardhyl Mahmuti, në një konferencë për media tha se, sipas tij, vendimi cenon rendin kushtetues dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa bëri thirrje për mobilizim institucional.

Një vendim që rrënon kushtetutën e Kosovës, duke cenuar rëndë parimin kushtetutës, duke cenuar pavarësinë e Kosovës, duke hapur rrugë për të nxitur të gjithë ato qarqe luftë nxitëse në këtë pjesë të Ballkanit, mobilizimi i gjithanshëm është një domosdoshmëri e kohës.. Ne kemi bërë një memorandum që në përputhje me kompetencat kushtetuese, që janë të përkufizuara se në çfarë rrethanash mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, ne kërkojmë nga institucionet prej presidencës, qeverisë, partive politike e deputetëve të kuvendit, që të mobilizohen sepse çdo vonesë do na kushtojë shumë”, tha ai.

Mahmuti tha se çështja, sipas tij, shkon përtej fatit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Këtu është në pyetje ekzistenca e shtetit të Kosovës, jo vetëm fati i atyre të katërve por edhe fati i gjeneratave të ardhshme. Kur themi që vendimi është në dorën e atyre që dëshirojnë të nxisin luftëra në këtë pjesë të Ballkanit, kemi për bazë pikërisht këtë. Me të drejtën ndërkombëtare ato pavarësi të shteteve që janë realizuar me mosrespektimin e konventave ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare, ato pavarësi ç behën, nuk njihen”, tha ai.

Memorandumi i Qendrës u prezantua nga anëtarja e kryesisë, Alketa Gashi.

Në të kërkohet që Haxhiu, në konsultim me Kurtin dhe duke iu referuar nenit 131 të Kushtetutës, të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

“Kërkojmë nga kryetarja e kuvendit Albulena Haxhiu që në konsultim me kryeministrin Albin Kurti dhe në përputhje me nenin 131 të Kushtetutës të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Kërkojmë nga drejtuesit e partive politike dhe deputetët që të gjejnë konsensusin e domosdoshëm për ç ‘bërjen e Dhomave të Specializuara dhe zyrës së prokurorit të përgjithshëm.. Përkundër faktit që neni 162 i Kushtetutës përkufizon në mënyrë të qartë se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, trupi gjykues morën vendim në kundërshtim të plotë me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës.. Trupi gjykues do të përpiqet t’i ekspozojë si fakte mijëra faqe të rasteve të fabrikuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë, për të krijuar opinionin se pavarësia e Kosovës është realizuar përmes vrasjeve sistematike, arrestimeve, ndalimeve, trajtimeve çnjerëzore dhe formave të tjera të dhunës”, tha ajo.

Qendra, përmes memorandumit, bëri thirrje për tejkalimin e dallimeve politike dhe për një mobilizim të përbashkët.

Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë, ndërsa i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim duke llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim.