Bariu dyshohet se kërcënoi turistët me prerje fyti, Policia: U arrestua dhe u lirua pas intervistimit

Një bari dyshohet se ka kërcënuar disa turistë në Bjeshkët e Nemuna, duke i urdhëruar ata që të ktheheshin. Sipas raportimeve për rastin, bariu dyshohet se i ka kërcënuar turistët edhe me prerje fyti. Rasti ka ndodhur më 20 shtator në bjeshkët e Junikut, ndërsa Policia e Kosovës është njoftuar përmes një video-incizimi të publikuar…

Lajme

22/09/2026 16:17

Një bari dyshohet se ka kërcënuar disa turistë në Bjeshkët e Nemuna, duke i urdhëruar ata që të ktheheshin.

Sipas raportimeve për rastin, bariu dyshohet se i ka kërcënuar turistët edhe me prerje fyti.

Rasti ka ndodhur më 20 shtator në bjeshkët e Junikut, ndërsa Policia e Kosovës është njoftuar përmes një video-incizimi të publikuar në një portal.

Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Rugova ka bërë të ditur se policia ka identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

“Me datën 20.09.2026, Policia është njoftuar nga një video incizim i cili është publikuar në një portal, se në bjeshkët e Junikut një person tani i dyshuar ka kanosur disa turistë. Policia ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, i njëjti është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të Shtetit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti cilësohet ‘kanosje’”, ka thënë Rugova për lajmi.net.

I dyshuari është liruar me urdhër të prokurorit të shtetit dhe rasti po trajtohet në procedurë të rregullt. /Lajmi.net/