Bekim Jashari kujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin: Më e shtrenjtë është liria se jeta

Në 28-vjetorin e rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Bekim Jashari ka kujtuar figurën dhe veprën e tyre, duke vlerësuar kontributin e tyre në luftën për lirinë e Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Jashari ka rrëfyer për veprimtarinë atdhetare të Fehmi Lladrovcit, burgosjen e tij nga regjimi serb dhe vendosmërinë për të vazhduar…

Lajme

22/09/2026 15:09

Në 28-vjetorin e rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Bekim Jashari ka kujtuar figurën dhe veprën e tyre, duke vlerësuar kontributin e tyre në luftën për lirinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Jashari ka rrëfyer për veprimtarinë atdhetare të Fehmi Lladrovcit, burgosjen e tij nga regjimi serb dhe vendosmërinë për të vazhduar angazhimin për çlirimin e Kosovës.

Jashari ka përmendur edhe pjesëmarrjen e Lladrovcit në luftën në Kroaci dhe angazhimin e tij për grumbullimin e armatimit për Kosovën. Ai ka rikujtuar edhe një deklaratë të Lladrovcit në një intervistë për BBC-në, ku ishte shprehur se do të vdiste për Kosovën, duke theksuar se “më e shtrenjtë është liria se jeta”.

Sipas Jasharit, Fehmi Lladrovci shquhej për modestinë dhe përkushtimin ndaj bashkëluftëtarëve. Ai ka theksuar se Lladrovci, pavarësisht pozitës së komandantit, së bashku me bashkëshorten e tij, Xhevën, dilte ndër të parët në luftime dhe qëndronte pranë luftëtarëve.

“Rënia e familjes sonë e kishte prekur thellë. Nga ajo ditë, gjithnjë e më pak mendonte për fatin e tij. Mendonte për Kosovën, për lirinë dhe për brezat që do të vinin pas tij”, ka shkruar Jashari.

Ai ka bërë të ditur se së bashku me djalin e tij, Hamzën, ka bërë homazhe te varri i Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, si dhe te varri i Fatime Hetemit dhe i bashkëluftëtarëve të tyre.

“Lavdi jetës dhe veprës heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit! Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë për liri”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/