Thaçi nga Haga u dërgon të fala protestuesve: “U bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë” – Tahiri tregon takimin me të

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se është takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, gjatë vizitës së tij në Hagë, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Speciale. Tahiri ka thënë se ky udhëtim drejt Hagës ishte ndryshe nga vizitat e shumta që kishte realizuar gjatë gjashtë viteve të fundit,…

Lajme

21/09/2026 17:46

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se është takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, gjatë vizitës së tij në Hagë, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Speciale.

Tahiri ka thënë se ky udhëtim drejt Hagës ishte ndryshe nga vizitat e shumta që kishte realizuar gjatë gjashtë viteve të fundit, pasi këtë herë e takoi Thaçin pas vendimit të gjykatës.

“Ky është një tjetër rrugëtim drejt Hagës, pas kaq shumë udhëtimesh gjatë këtyre gjashtë viteve. Por kësaj here ishte ndryshe. U mërzita shumë kur e takova Presidentin pas vendimit të padrejtë”, ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahirit, Thaçi, pavarësisht aktgjykimit, ishte i qetë dhe i fortë, duke shprehur besimin se drejtësia do të triumfojë në procesin e Apelit.

“E megjithatë, ai ishte i qetë, i fortë dhe i sigurt. Me besimin se drejtësia do të triumfojë dhe se Apeli do ta korrigjojë këtë padrejtësi”, ka shkruar ai.

Tahiri ka përcjellë edhe një mesazh të Thaçit për qytetarët që po protestojnë në Prishtinë.

“Ai ju dërgon të fala nga zemra, secilit prej jush që jeni në sheshin e Prishtinës dhe që u bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë”, ka shkruar Tahiri.

Në fund, Tahiri ka falënderuar qytetarët për qëndresën dhe solidaritetin e tyre.

“Faleminderit për qëndresën, për solidaritetin dhe për zërin tuaj që nuk u shua. Drejtësi për çlirimtarët!”, ka përfunduar Tahiri. /Lajmi.net/