“Të gjitha partitë politike janë në shesh çdo natë”, Haziri: Do të protestojmë deri të arrihen kushtet tona
Organizatori i protestës në Prishtinë dhe djali i veprimtarit të vrarë, Xhavit Haziri, Çlirim Haziri, ka thënë se protesta në sheshin “Skënderbeu” ka hyrë në natën e gjashtë, ndërsa qytetarë nga mbarë Kosova po i bashkohen tubimit. Në një lidhje direkte në “Five”, Haziri ka deklaruar se qytetarët po protestojnë kundër vendimit të Dhomave të…
Lajme
Organizatori i protestës në Prishtinë dhe djali i veprimtarit të vrarë, Xhavit Haziri, Çlirim Haziri, ka thënë se protesta në sheshin “Skënderbeu” ka hyrë në natën e gjashtë, ndërsa qytetarë nga mbarë Kosova po i bashkohen tubimit.
Në një lidhje direkte në “Five”, Haziri ka deklaruar se qytetarët po protestojnë kundër vendimit të Dhomave të Specializuara, të cilin e ka cilësuar si vendim të bazuar, sipas tij, jo në fakte dhe prova.
“Sot është nata e gjashtë që jemi në shesh bashkë me qytetarët e Republikës së Kosovës. Po na bashkohen shqiptarët anë e mbanë në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë për të protestuar kundër një vendimi të diktuar, i cili nuk u mor duke u bazuar në fakte dhe prova, por një vendim që gjykon historinë më të lavdishme të popullit shqiptar. Gjykon UÇK-në, gjakun e dëshmorëve dhe normalisht populli, rinia, pleqtë, gra e fëmijë, të gjithë jemi ngritur në këmbë. Po protestojmë deri në plotësimin e kërkesave tona”, ka thënë Haziri.
Duke folur për mënyrën e protestimit, ai ka thënë se tubimet po zhvillohen pa dhunë, përmes muzikës, flamujve dhe pjesëmarrjes së qytetarëve.
“Ka mundësi që njerëzit të kenë mendime të ndryshme. Në këto protesta nuk ka këngë të caktuara që i këndojmë. Normalisht është pak gjatë fjalimeve. Protestat tona nuk kanë nevojë të jenë të dhunshme. Jemi qytetarë të Evropës dhe po shprehim pakënaqësinë tonë çdo natë në sheshin ‘Skënderbeu’, përmes bashkimit në numër dhe përmes muzikës”, është shprehur ai.
Haziri ka përmendur edhe iniciativën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se protesta do të vazhdojë për aq kohë sa çështja të jetë në Kuvend.
“Duke e shprehur ndryshimin e ligjit për Specialen, që sot PDK-ja ka marrë një iniciativë për ndryshim në Ligjin për Gjykatën Speciale. Kjo protestë do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave tona. Sa të ketë kohë në Kuvend, ne do t’i zgjasim protestat”, ka deklaruar Haziri.
Ai e ka cilësuar këtë periudhë si një moment historik për Kosovën, duke thënë se të gjitha partitë politike kanë mbështetje në shesh.
“Mendoj që ky është një moment historik i Kosovës dhe secili ka me u gjyku për vendimet. Mendoj që të gjitha partitë politike janë në shesh, kemi përkrahje nga të gjithë. Vërejtja ime është që është e natyrshme që numri i madh i deputetëve të PDK-së janë prezent”, ka thënë Haziri.