Koci u shkruan institucioneve: Qytetarët e arrestuar në Serbi të mos mbeten pa mbështetje profesionale
Avokati Arianit Koci u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që qytetarët e arrestuar në Serbi të mos mbeten pa ndihmë profesionale. Koci ka publikuar një letër që ia ka dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se…
Lajme
Avokati Arianit Koci u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që qytetarët e arrestuar në Serbi të mos mbeten pa ndihmë profesionale.
Koci ka publikuar një letër që ia ka dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se në raste të tilla është angazhuar vazhdimisht si avokat, pa pagesë dhe duke i mbuluar vetë edhe shpenzimet.
“Pa pagesë. Edhe shpenzimet i kam mbuluar vetë”, ka shkruar Koci.
Sipas tij, kohëve të fundit autoritetet serbe e kanë ndaluar disa herë për “verifikime shtesë”, duke bërë që ai ta konsiderojë veten të ekspozuar ndaj rrezikut në rast të udhëtimeve të mëtejshme në Serbi.
“Mesazhi është i qartë: nuk jam i mirëseardhur në Serbi. Çdo shkuarje atje më ekspozon ndaj rrezikut dhe ma kufizon mundësinë me u dalë në krah qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.
Koci ka bërë të ditur se më 19 gusht u është drejtuar institucioneve me një propozim që këtë angazhim ta vazhdojë në koordinim me institucionet e Kosovës.
“Prandaj, më 19 gusht i jam drejtuar Kryeministrit, me kopje Presidentes dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, me një propozim konkret: që këtë angazhim ta vazhdoj në koordinim me institucionet tona”, ka shkruar Koci.
Ai ka thënë se ende nuk ka marrë përgjigje dhe për këtë arsye sot ka vendosur ta bëjë publike shkresën. /Lajmi.net/