KPK-ja miraton avancimin e dy prokurorëve dhe transferimin e tre të tjerëve

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur të premten takimin e 303-të, ku ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë çështjesh që lidhen me funksionimin dhe administrimin e Sistemit Prokurorial të Kosovës. Gjatë takimit, KPK-ja miratoi raportin e plotësuar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, përkatësisht Mekanizmin e Raportimit Vjetor 2025 të Kryeprokurorit të kësaj…

Lajme

18/09/2026 16:44

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur të premten takimin e 303-të, ku ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë çështjesh që lidhen me funksionimin dhe administrimin e Sistemit Prokurorial të Kosovës.

Gjatë takimit, KPK-ja miratoi raportin e plotësuar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, përkatësisht Mekanizmin e Raportimit Vjetor 2025 të Kryeprokurorit të kësaj prokurorie, raporton lajmi.net

Po ashtu, u miratuan mekanizmat e raportimit vjetor për vitin 2025 të kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore në Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan.

Në kuadër të ndryshimeve në komisionet e Këshillit, u miratua dorëheqja e Dardan Vuniqit nga pozita e kryesuesit të Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive. Në këtë pozitë u caktua Arlinda Muqa.

Këshilli miratoi edhe Rregulloren për Komisionin për Çështje Normative, si dhe ndryshimet dhe plotësimet e rregullores për organizimin e brendshëm dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit. Gjithashtu, u miratuan ndryshimet në rregulloren për klasifikimin e vendeve të punës në administratën e Sistemit Prokurorial.

Në pjesën që lidhet me avancimin dhe transferimin e prokurorëve, KPK-ja miratoi avancimin e Veton Shabanit dhe Ersan Qavollit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndërkaq, u miratua transferimi i përhershëm i Virtyte Gërvallës dhe Shaqir Sertollit në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, si dhe i Dardan Çelës në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren.

Në takim u shqyrtuan edhe tre raporte për vlerësimin e performancës së 22 prokurorëve të shtetit, së bashku me kundërshtimet e paraqitura ndaj tyre.

Pas shqyrtimit, KPK-ja miratoi raportet e vlerësimit për 21 prokurorë, ndërsa një kundërshtim e miratoi dhe raportin për vlerësimin e performancës së prokurorit përkatës e ktheu për rishqyrtim në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve.

Në fund të mbledhjes, Këshilli shqyrtoi edhe një çështje disiplinore që kishte të bënte me një ankesë ndaj një prokurori, të cilën vendosi ta refuzojë./Lajmi.net/