Prokuroria në Pejë ngre aktakuz ndaj tre të dyshuarve për shit-blerje të narkotikëve
Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve me inicialet I.A., F.T. dhe M.A. Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose…
Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve me inicialet I.A., F.T. dhe M.A.
Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri I.A. dyshohet se, gjatë periudhës nga janari i vitit 2025 deri më 6 nëntor 2025, në fshatin Isniq, Komuna e Deçanit, ka shpërndarë dhe shitur narkotikë të llojit marihuanë, pa autorizim. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, janë gjetur dhe sekuestruar 131.47 gramë marihuanë. Po ashtu, i njëjti i pandehur dyshohet se ka poseduar në mënyrë të paautorizuar armë dhe municion, me ç’rast gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, municion dhe dy granata dore”, ka njoftuar Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri F.T. dyshohet se, gjatë periudhës nga qershori i vitit 2025 deri më 6 nëntor 2025, në fshatin Drenoc, Komuna e Deçanit, ka shpërndarë dhe shitur narkotikë të llojit marihuanë, pa autorizim. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar 2.93 gramë marihuanë, si dhe mjete të tjera të cilat, sipas aktakuzës, dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe paketimin e narkotikëve.
“Ndërsa, i pandehuri M.A. dyshohet se më 6 nëntor 2025, në fshatin Drenoc, Komuna e Deçanit, ka poseduar pa autorizim narkotikë të llojit marihuanë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar 0.46 gramë marihuanë, e cila, sipas aktakuzës, dyshohet se ishte për përdorim personal. Me këto veprime, sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë përmbushur elementet e veprave penale për të cilat ngarkohen. Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat ngarkohen”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Lajmi.net/