Nga 26 në 15 vjet burg për Mustafën, nga 18 në 13 për Shalën – historiku i Apelit që u jep terren avokatëve të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk shënon fundin e procesit gjyqësor në Hagë, pasi avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se vendimi do të apelohet. Në këtë fazë, praktika e mëhershme e Dhomave të Specializuara të Kosovës tregon se vendimet e shkallës së parë mund të ndryshohen…

Lajme

17/09/2026 13:19

Aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk shënon fundin e procesit gjyqësor në Hagë, pasi avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se vendimi do të apelohet.

Në këtë fazë, praktika e mëhershme e Dhomave të Specializuara të Kosovës tregon se vendimet e shkallës së parë mund të ndryshohen nga Gjykata e Apelit, përfshirë edhe uljen e dënimeve.

Një nga rastet është ai i Salih Mustafës.

Në dhjetor të vitit 2022, Mustafa u dënua me 26 vjet burgim nga shkalla e parë.

Një vit më vonë, në dhjetor 2023, Gjykata e Apelit ia uli dënimin në 22 vjet burgim.

Në korrik 2024, Gjykata Supreme ia ktheu Apelit rastin për rishqyrtim lidhur me kohëzgjatjen e dënimit.

Pas kësaj, në shtator 2024, Gjykata e Apelit e uli sërish dënimin e Mustafës, kësaj here në 15 vjet burgim.

Ankesat e mëtejshme të Mustafës u rrëzuan nga Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese, duke bërë që dënimi prej 15 vjetësh burgim të mbetet në fuqi.

Një tjetër rast është ai i Pjetër Shalës.

Në korrik 2024, Shala u dënua me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara.

Në korrik 2025, Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin duke ia ulur dënimin në 13 vjet burgim.

Edhe në këtë rast, Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese i rrëzuan ankesat e radhës, ndërsa në fuqi mbeti dënimi prej 13 vjetësh burgim.

Këto raste përbëjnë një pjesë të historikut të vendimeve të Dhomave të Specializuara ku dënimet e dhëna në shkallë të parë janë ndryshuar në procedurën e apelit.

Tash, pas aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së ka paralajmëruar ankimimin e vendimit.

Avokatët kanë shprehur pakënaqësi me aktgjykimin e shkallës së parë dhe kanë bërë të ditur se beteja ligjore do të vazhdojë në Gjykatën e Apelit.

Kështu, vendimi i shkallës së parë nuk përbën domosdoshmërisht pikën përfundimtare të procesit, ndërsa praktika e rasteve të mëparshme tregon se Gjykata e Apelit ka ndërhyrë në dënimet e dhëna nga shkalla e parë. /Lajmi.net/