Haxhiu: S’ka dakordim për votim në pako të nënkryetarëve – votohen veç e veç
Ka nisur seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit. Të pranishëm në sallën e Kuvendit janë shumica e deputetëve nga partitë politike, derisa nga Aleanca edhe sot po e bojkotojnë seancën. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se sot vazhdohet me pikën e radhës e cila…
Lajme
Ka nisur seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit.
Të pranishëm në sallën e Kuvendit janë shumica e deputetëve nga partitë politike, derisa nga Aleanca edhe sot po e bojkotojnë seancën.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se sot vazhdohet me pikën e radhës e cila është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Si fillim Haxhiu ftoi për konsultim përfaqësuesit e partive politike në vend.
Më pas pritet të vazhdohet me seancën e cila nuk pritet të ketë zgjidhje duke pas parasysh edhe deklarimet publike sa i përket votimit të nënkryetarëve.
Pas kësaj Haxhiu deklaroi se për votim veç e veç përgjigja ishte që do të donim në pako e meqë nuk ka konsensus vazhdohet me votimin veç e veç.
“Duke qenë që nuk ka një dakordim për votim në pako të nënkryetarëve të Kuvendit atëherë forma e vetme është votimi veç e veç, propozimet i kemi marrë në seancën e kaluar për votim veç e veç ishin të gjitha grupet parlamentare pra të kandidatëve për nënkryetarë prandaj duhet të vazhdojmë”,tha Haxhiu, transmeton lajmi.net.
Ajo tha se “në pyetjen a janë dakord të gjithë për votim veç e veç, përgjigja ishte që do donin në pako por se do shkojnë veç e veç”.
Të mërkurën, deputetët rizgjodhën Albulena Haxhiun në postin e kryetares, por më pas seanca u shty pas pas mospajtimeve mes partive politike lidhur me votimin e pesë nënkryetarëve.
Partitë nuk kanë gjetur pajtim se si të votohen nënkryetarët, në pako apo ndaras. Po ashtu, një tjetër arsye e shtyrjes së seancës nga Haxhiu ishte shprehja “në emër të popullit serb” e përdorur nga Igor Simiq i Listës Serbe kur ai propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Ndërkaq, Haxhiu, por edhe Arbërie Nagavci nga LVV-ja thanë se nuk ka pajtim mes partive as për Vlora Çitakun e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kujtim Shalën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të propozuar për nënkryetarë të legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit./Lajmi.net/