Thaçi nga Haga këshillon politikanët në vend: Kosova duhet të merret më pak me histori e më shumë me stabilitetin dhe mirëqenien qytetare

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për të ardhmen e vendit dhe procesin gjyqësor ndaj tij në Hagë, vetëm pak ditë para se të pritet shpallja e vendimit në rastin ku ai dhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballen me akuzat e Prokurorisë Speciale. Në një intervistë për Top Channel, Thaçi…

Lajme

10/09/2026 23:24

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për të ardhmen e vendit dhe procesin gjyqësor ndaj tij në Hagë, vetëm pak ditë para se të pritet shpallja e vendimit në rastin ku ai dhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballen me akuzat e Prokurorisë Speciale.

Në një intervistë për Top Channel, Thaçi ka thënë se historia e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës do të mbetet pjesë e pandashme e historisë kombëtare, pavarësisht mënyrës se si ajo mund të interpretohet në të ardhmen, transmeton lajmi.net.

“Vlerat e rezistencës për çlirim dhe shtet do të kapërcejnë procese e procese, do të kapërcejnë mandate liderësh, kryeministrash e presidentësh. Pra, do të jetojnë dekada, shekuj e mijëvjeçarë në historinë e kombit shqiptar.

Natyrisht, si të gjitha historitë e kombeve, edhe historia e Kosovës do të interpretohet dhe riinterpretohet. Me kalimin e kohës, ajo edhe do të evoluojë, do të transformohet, por kurrë askush nuk do të arrijë ta tjetërsojë”, u shpreh ai.

Megjithatë, Thaçi ka theksuar se Kosova tashmë duhet ta zhvendosë vëmendjen nga debatet historike drejt forcimit të shtetit dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.

“Kosova kishte shumë histori, por i mungonte liria dhe shtetësia. Sot është koha që Kosova të merret më pak me histori e më shumë të punojë për stabilitetin shtetëror dhe mirëqenien qytetare.

Sa më shumë merremi me histori, aq më gjatë do të vazhdojnë deformimi politik dhe stanjacioni ekonomik”, tha tutje Thaçi.

Ish-presidenti ka folur edhe për akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria, duke kundërshtuar pretendimin se ai kishte mashtruar partnerët ndërkombëtarë gjatë periudhës së luftës.

Thaçi ka theksuar se institucionet dhe përfaqësuesit e vendeve perëndimore kishin qenë të pranishëm në terren dhe, sipas tij, e njihnin nga afër mënyrën se si ishte organizuar rezistenca shqiptare.

“Demokracite perëndimore na ndihmuan kur e kuptuan qartë qëllimin dhe mjetet për realizimin e synimit tonë. Ne ishim plotësisht transparent me shtetet me partnere. Tani prokuroria thotë se gjoja … Thaçi i ka mashtruar ndërkombëtaret, ky pretendim sa është qesharak, po aq është absurd dhe ofendues. Ndërkombëtarët ishin me ne në terren. Ata e njihnin shumë mirë me objektivin dhe nivelin modest e autentik të perpjekjeve per organizimin e rezistences. Diplomatë dhe ushtarakë të respektuar amerikanë e evropianë erdhën si deshmitare dhe e deklaruan te vertetën edhe në sallën e gjyqit”, tha Thaçi.

Fjalët e tij vijnë në një periudhë kur procesi gjyqësor në Hagë ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së është drejt përfundimit dhe pritet shpallja e vendimit nga gjykata./lajmi.net/