Dy bastisje në Gjilan e Prishtinë për një pronë të dyshuar si e tjetërsuar, arrestohet një person për marrje ryshfeti

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë realizuar bastisjet në kuadër të hetimeve lidhur me një rast të dyshuar të tjetërsimit të një prone. Si rezultat i operacionit,…

Lajme

10/09/2026 16:30

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë realizuar bastisjet në kuadër të hetimeve lidhur me një rast të dyshuar të tjetërsimit të një prone.

Si rezultat i operacionit, është arrestuar personi me inicialet V.M., i cili me urdhër të Prokurorisë Speciale është ndaluar për 48 orë.

Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”.

Gjatë bastisjeve, sipas njoftimit të përbashkët, janë sekuestruar sende dhe materiale që dyshohet se mund të jenë relevante për hetimin.

“Veprimet hetimore lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga DHKEK dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me pronën apo rrethanat konkrete të dyshimit për marrje ryshfeti. /Lajmi.net/