Rrustemi: Ende kemi shans ta gjejmë një president dhe t’i shmangim zgjedhjet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se qëllimi i VV-së është shmangia e zgjedhjeve të reja dhe gjetja e një dakordimi për zgjedhjen e presidentit. Rrustemi tha se vendi aktualisht nuk është në një situatë ku mund të funksionojë normalisht pa institucione të plota dhe se, pa një dakordim për presidentin, vendi do…

Lajme

09/09/2026 23:45

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se qëllimi i VV-së është shmangia e zgjedhjeve të reja dhe gjetja e një dakordimi për zgjedhjen e presidentit.

Rrustemi tha se vendi aktualisht nuk është në një situatë ku mund të funksionojë normalisht pa institucione të plota dhe se, pa një dakordim për presidentin, vendi do të shkojë në zgjedhje.

“Vendi nuk është në këtë kontekstin aktual, nuk është institucion në vetvete. Pa një dakordim për presidentin, shkojmë në zgjedhje. Do të konstituohet Kuvendi, por po them, në këtë proces që jemi, Kuvendi pa dakordim për presidentin nuk do të ekzistojë më si Kuvend, se do të shpërndahet para 60 ditëve”, tha Rrustemi.

Ai iu përgjigj edhe kritikave të opozitës se Kuvendi është dashur të konstituohet më herët.

“Na kanë akuzuar pse s’u konstitu më parë. Po të ishte konstituuar në atë afatin që pretendonte opozita, pardje ishte dashur të shpallen zgjedhjet. A e dini këtë punë?”, u shpreh Rrustemi.

Sipas tij, aktualisht ende ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje për presidentin dhe për ta shmangur shkuarjen në zgjedhje.

“E sot kemi hala shans me gjetë një president. Domethënë, ne po pretendojmë për t’i dhënë shans procesit për ta gjetur presidentin, për t’i shmangur zgjedhjet”, deklaroi Rrustemi në “Politiko”.