Pesë të arrestuar për tjetërsimin e dyshuar të një prone në Fushë Kosovë në vlerë 1.5 milionë euro

Pesë persona janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në lidhje me tentativën për tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh në Fushë Kosovë, me vlerë rreth 1.5 milionë euro. Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se arrestimet janë kryer në koordinim me Policinë e Kosovës…

Lajme

08/09/2026 19:11

Pesë persona janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në lidhje me tentativën për tjetërsimin e një prone prej dy hektarësh në Fushë Kosovë, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se arrestimet janë kryer në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, transmeton lajmi.net.

Sipas hetimeve fillestare, personat e dyshuar, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë pajisur personin me inicialet M.S. me fletë poseduese për një pronë prej dy hektarësh që ndodhet në Fushë Kosovë.

Më pas, sipas Prokurorisë, M.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që pronën ta tjetërsojë përmes shitblerjes te dy persona me inicialet M.Z. dhe M.Z., duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Vlera e pronës, sipas njoftimit të Prokurorisë, arrin në 1 milion e 500 mijë euro.

Të arrestuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bazë të nenit 414 dhe nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arrestimi është realizuar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka deklaruar se do të vazhdojë hetimet dhe se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit.

Komunikata e plotë:
Pesë persona të arrestuar për dyshime lidhur me tjetërsimin e një prone në vlerë prej 1.5 milion euro
Prishtinë, 08 Shtator 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, në koordinim me Policinë e Kosovës, Njësinë Rajonale për Hetimin e
Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të autoritetit zyrtar, sot janë arrestuar pesë (5) persona.
Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, kanë pajisur me fletë poseduese personin M.S, për pronën e cila gjendet në Fushë Kosovë, me sipërfaqe prej 2 hektar, dhe më pas personi M.S ka tentuar që në bashkëpunim me persona të tjerë këtë pronë ta tjetërsoi përmes shitblerjes tek personat M.Z dhe M.Z me dokumente të falsifikuara në vlerë prej një milion e pesëqind mijë (1.500.000) eurosh.
Të dyshuarit janë duke u hetuar për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe neni 31 të KPRK-së.
Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK), ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin./lajmi.net/