Ellis: Aktgjykimi i Speciales mund të bëhet precedent për drejtësinë ndërkombëtare

Aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mund të ketë peshë përtej fatit juridik të katër të akuzuarve. Mark Ellis, njohës i çështjeve ligjore, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai mund të ndihmojë në përcaktimin e kufijve të ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe përgjegjësisë komanduese kur bëhet…

Lajme

08/09/2026 17:29

Aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mund të ketë peshë përtej fatit juridik të katër të akuzuarve.

Mark Ellis, njohës i çështjeve ligjore, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai mund të ndihmojë në përcaktimin e kufijve të ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe përgjegjësisë komanduese kur bëhet fjalë për udhëheqës të lartë.

Në qendër do të jetë çështja nëse ka ekzistuar një qëllim i përbashkët kriminal dhe nëse secili prej të akuzuarve kishte kontroll efektiv dhe dijeni për krimet e kryera nga vartësit.

Për Ellisin, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, rëndësia e vendimit nuk qëndron vetëm te përfundimi i tij, por edhe te mënyra se si do të arsyetohet, si dhe te gjurmët që mund t’i lërë në të drejtën penale ndërkombëtare dhe në të kuptuarit e luftës në Kosovë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – të gjithë figura të larta të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.

Ajo përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe katër pika për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Në atë dosje, katërshja përshkruhet si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.

Viktimat e tyre, sipas aktakuzës, përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në.

Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Të katër të akuzuait janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Aktgjykimi do të shpallet më 16 shtator 2026.

Radio Evropa e Lirë: Pas më shumë se tre vjetësh gjykim, cilat i shihni si çështjet kryesore ligjore që gjyqtarët duhet t’i zgjidhin në rastin kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit?

Mark Ellis: Në përgjithësi, mendoj se ky është një rast jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe çështjet ligjore janë vërtet interesante.

Mendoj se, para së gjithash, njerëzit do të përqendrohen te pyetja nëse ka ekzistuar fare një ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe, nëse po, cili ka qenë fushëveprimi i saj.

Ky është fokusi kryesor.

Siç e dimë, aktakuza thotë se të katër të akuzuarit e kanë ndarë këtë qëllim të përbashkët. Kështu që, detyra e parë, mendoj unë, do të jetë të vendoset nëse ky qëllim i përbashkët është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe, pastaj, natyrisht, të kalohet te vlerësimi i pjesëmarrjes së secilit të pandehur në këtë plan të përbashkët.

Sepse, siç e dimë, katër të pandehurit kanë pasur funksione të ndryshme dhe, prandaj, mendoj se do të duhet të vlerësohet kontributi i secilit prej tyre.

Pra, duhet t’i ndash deri diku këto çështje, edhe pse të katër individët i shqyrton brenda konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Çështja tjetër që gjithmonë më ka interesuar dhe që mendoj se do të jetë interesante këtu, është përgjegjësia komanduese.

Ajo, siç e dimë, është ngritur paralelisht me akuzat për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Këtu flasim për një koncept që ekziston prej një kohe mjaft të gjatë. Ai ishte pjesë e Statutit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, por trupi gjykues do të duhet ta vlerësojë veçmas secilin të pandehur, nëse ka ekzistuar kjo marrëdhënie epror-vartës dhe nëse i pandehuri ka pasur kontroll efektiv.

Kjo është vërtet thelbësore këtu.

Pastaj, duhet të përcaktohet nëse të pandehurit e dinin ose kishin arsye ta dinin se krimet po kryheshin dhe nuk bënë asgjë për t’i ndaluar ato. Ky është një test ligjor i veçantë nga akuzat për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Pra, këto janë çështjet që më intrigojnë në këtë rast dhe që mendoj se janë thelbësore për të.

Në fokus edhe kontrolli dhe hierarkia në UÇK

Radio Evropa e Lirë: Sa vendimtare është për aktgjykimin përplasja mes pretendimit të Prokurorisë se krimet ishin pjesë e një fushate të koordinuar dhe argumentit të mbrojtjes se UÇK-ja ishte e fragmentuar dhe se katër të akuzuarit nuk kishin kontroll efektiv në terren?

Mark Ellis: Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mendoj se kjo është njëra prej një apo dy çështjeve faktike më vendimtare që do të trajtohen në aktgjykim, sepse prek si akuzën për përgjegjësi komanduese, ashtu edhe teorinë e Prokurorisë për ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Prokuroria ka argumentuar se të katërtit ushtronin një lloj autoriteti të përgjithshëm mbi këtë lëvizje dhe mbi veprimet që ndodhën, përfshirë – nëse më kujtohet saktë – edhe mbi rrjetin e qendrave të ndalimit ku, natyrisht, pretendohet se janë kryer krime.

Prokuroria do të thotë: “Ne mund ta provojmë këtë përmes komunikimeve të UÇK-së, komunikimeve të brendshme”.

Por, siç e thatë edhe ju, mbrojtja argumenton se, në fakt, e gjithë kjo strukturë ishte e organizuar shumë lirshëm. Nuk kishte hierarki. Autoriteti operacional për të cilin është diskutuar në këtë rast, sipas këtij argumenti, u takonte komandantëve ushtarakë dhe jo udhëheqjes politike dhe të inteligjencës që tani është në gjykim.

Prandaj, vendimi do të duhej ta trajtonte këtë çështje. Këto janë pika vërtet kritike.

Radio Evropa e Lirë: Por, sa e vështirë është, sipas së drejtës penale ndërkombëtare, të kalohet nga vërtetimi se krimet kanë ndodhur te vërtetimi se udhëheqës të lartë politikë ose ushtarakë janë individualisht përgjegjës për to? Cilat prova zakonisht e krijojnë këtë lidhje?

Mark Ellis: Lidhja ka të bëjë me aftësinë për të treguar se të pandehurit, në fakt, ishin në pozitë autoriteti. Se kishin kontroll efektiv. Se kishin kontroll mbi atë që po ndodhte. Se e dinin se çfarë po bënin vartësit dhe nuk bënë asgjë për t’i ndaluar. Të gjitha këto shërbejnë për ta ndërtuar rastin.

Prokuroria ka qenë në gjendje t’i përdorë komunikimet e brendshme që ka arritur t’i fusë në dosjen gjyqësore dhe kjo është ajo që bëhet: ndërtohet një strukturë provash.

Ju pyetët më herët nëse kjo është një pjesë kritike e rastit. Dhe është. Sepse, si mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria kanë shpenzuar shumë kohë duke u përqendruar në përpjekjet për t’i hedhur poshtë argumentet e njëra-tjetrës.

Pra, në thelb, bëhet fjalë për ndërtimin e rastit përmes provave.

Radio Evropa e Lirë: Por, nëse gjyqtarët arrijnë në përfundimin se krimet janë kryer, por nuk binden se Prokuroria e ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm lidhjen e të pandehurve me to, çfarë do të nënkuptonte kjo për teorinë më të gjerë të Prokurorisë për rastin?

Mark Ellis: Siç e thashë në fillim, këtu kemi dy linja paralele: njëra lidhet me përgjegjësinë komanduese, ndërsa tjetra me ndërmarrjen e përbashkët kriminale.

Pra, teoria e ndërmarrjes së përbashkët kriminale mund të qëndrojë edhe pa u provuar se secili prej të pandehurve ka urdhëruar ose kryer personalisht një veprim të caktuar të paligjshëm apo keqtrajtim.

Ajo shërben si teori që i lidh të katër të pandehurit me krimet e pretenduara, ndërsa përgjegjësia individuale komanduese shqyrtohet veçmas.

Mendoj se ndërmarrja e përbashkët kriminale është ndoshta pjesa më kritike e rastit.

Ju pyetët më herët se sa qendrore është kjo teori e Prokurorisë dhe çfarë do të ndodhte nëse gjyqtarët do ta hidhnin poshtë. Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse nëse gjyqtarët e hedhin poshtë ose e kufizojnë ndjeshëm ndërmarrjen e përbashkët kriminale, atëherë duhet të mbështeten te përgjegjësia individuale, përfshirë përgjegjësinë komanduese, e cila duhet të lidhet konkretisht me secilin të pandehur dhe jo me një qëllim më të gjerë të përbashkët.

Kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet. Por, atëherë lind pyetja tjetër: çfarë ndodh nëse nuk mund të provohet se një i pandehur kishte kontroll efektiv? Nëse nuk provohet as kjo, atëherë rasti fillon të dobësohet.

Pra, gjyqtarët mund ta hedhin poshtë ose ta kufizojnë ndjeshëm teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe, megjithatë, të konstatojnë përgjegjësi individuale, veçanërisht mbi bazën e përgjegjësisë komanduese.

Kjo është arsyeja pse kjo çështje është kaq e rëndësishme për aktgjykimin.

Në anën tjetër, nëse gjyqtarët e pranojnë teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale kryesisht ashtu siç është paraqitur në aktakuzë, përfshirë format e saj të zgjeruara, kjo do të kishte rëndësi të madhe. Do të përforconte zbatueshmërinë e kësaj doktrine në tribunalet ndërkombëtare, sepse ndërmarrja e përbashkët kriminale ka qenë një koncept i debatueshëm, veçanërisht forma e tretë e saj [që ka të bëjë me pasojat e parashikueshme].

Kjo formë është përballur me shqyrtim dhe kritika gjithnjë e më të mëdha në qarqet e së drejtës penale ndërkombëtare. Prandaj, nëse gjyqtarët e mbështesin atë, kjo do t’i jepte peshë më të madhe këtij koncepti.

Për këtë arsye, rëndësia e aktgjykimit shkon përtej Kosovës. Qoftë nëse gjyqtarët e hedhin poshtë ndërmarrjen e përbashkët kriminale, e kufizojnë zbatimin e saj apo e pranojnë atë, vendimi do të ketë rëndësi edhe për rastet e ardhshme dhe për gjykatat që mund ta përdorin këtë koncept.

Një aktgjykim me peshë përtej Kosovës

Radio Evropa e Lirë: Ky është rasti më i rëndësishëm që Dhomat e Specializuara të Kosovës do të vendosin ndonjëherë. A do të jetë – më 16 shtator – në lojë edhe vetë besueshmëria e Gjykatës?

Mark Ellis: Unë asnjëherë nuk kam qenë prej atyre që e lidhin besueshmërinë e një gjykate me vendimin që ajo merr. Gjithmonë kam qenë i rezervuar ndaj një qasjeje të tillë.

Ajo që shikoj unë, është se sa mirë është arsyetuar aktgjykimi, sa kontrovers ka qenë vendimi dhe cilat kanë qenë argumentet mbi të cilat është mbështetur.

Deri më tani, vetë rasti ka qenë i shoqëruar me kundërthënie. Por, për shembull, nëse akuzat nuk do të vërtetoheshin, unë nuk do të thosha menjëherë se po vihet në dyshim e gjithë besueshmëria e procesit apo e Gjykatës. Unë nuk e shoh kështu.

Duhet parë me shumë kujdes se cili ka qenë vendimi dhe si është arsyetuar ai.

Sepse, çfarëdo që të ndodhë, mendoj se ky aktgjykim do të ketë ndikim të thellë në rastet e ardhshme dhe në zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: A mund të bëhet ky aktgjykim precedent për mënyrën se si gjykatat ndërkombëtare e vlerësojnë përgjegjësinë?

Mark Ellis: Mendoj se do të bëhet precedent. Mendoj se do t’i shtohet jurisprudencës ekzistuese, pavarësisht se cili do të jetë vendimi.

Kështu funksionon e drejta ndërkombëtare. Ajo vazhdon të ndërtohet mbi vetveten dhe rastet; vendimet në këto raste përcaktojnë dhe ripërcaktojnë elemente të teorisë juridike.

Radio Evropa e Lirë: Cilido qoftë aktgjykimi, ai do të bëhet pjesë e debatit për mënyrën se si kujtohet lufta e Kosovës. Si duhet një gjykatë ta bëjë dallimin mes gjykimit të përgjegjësisë penale të katër individëve dhe dhënies së një gjykimi për UÇK-në apo për legjitimitetin e vetë luftës së Kosovës?

Mark Ellis: Gjithmonë kam menduar se gjykatat duhet të shihen si institucione me përgjegjësi të rëndësishme, por të kufizuara. Ato merren me akuza dhe raste konkrete. Roli i tyre është të përpiqen të sjellin drejtësi për viktimat që nuk kanë më zë, por kjo nuk do të thotë se gjykatat arrijnë ta bëjnë këtë gjithmonë.

Pasojat e vendimeve të tyre mund të jenë të mëdha dhe të shtrihen shumë më gjerë. Shpesh, njerëzit jashtë sistemit gjyqësor i marrin këto vendime dhe përpiqen t’i përdorin për interesat e tyre, për të mbështetur qëndrimet që kanë. Gjykatat nuk mund ta kontrollojnë këtë.

Por, mendoj se është shumë e rëndësishme që vendimi të jetë i arsyetuar mirë, pavarësisht rezultatit përfundimtar, dhe të përfshijë edhe kontekstin historik – nëse mund ta quajmë kështu – të asaj që ka ndodhur në Kosovë, siç e përmendët edhe ju.

Në këtë kuptim, vendimet gjyqësore mund të kenë ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si historia do ta shohë konfliktin.

Por, përsëri, gjykata është e kufizuar nga rasti që ka përpara dhe nga akuzat për të cilat duhet të vendosë. Ajo duhet të qëndrojë brenda këtyre kufijve.

Besoj se vendime të tilla ndihmojnë në krijimin e një baze faktike, me rëndësi historike dhe sa më afër së vërtetës që një gjykatë mund të arrijë.

Kjo, mendoj, e ndihmon publikun të kuptojë se çfarë ka ndodhur dhe, shpresoj, ndihmon edhe që në historinë e asaj që ka ndodhur të mbetet një bazë e së vërtetës, që disa fakte të jenë nxjerrë në pah përmes procesit gjyqësor.

Mendoj se ky është një kontribut i rëndësishëm që japin gjykatat.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të shikoni ju, personalisht, në aktgjykim?

Mark Ellis: Mendoj se do të shikoj pikërisht atë që sapo thashë: nëse është një vendim i qartë dhe i mirëpërcaktuar, që na jep një pasqyrë më të thellë për krimet e kryera, në raport me akuzat konkrete.

Do të shikoj, gjithashtu, se si ky vendim mund të ndihmojë në rikonfirmimin e parimeve juridike që njohim sot apo në ripërcaktimin e tyre – nëse do t’i forcojë apo do t’i dobësojë ato. Për mua, këto do të jenë ndër aspektet më të rëndësishme të vendimit.

Dhe, në fund, do ta pyes veten: a na ndihmon ky vendim të kemi një pasqyrë objektive dhe historike, sado të kufizuar, për atë që ka ndodhur? Mendoj se edhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme.

Nëse njerëzit në njërën apo tjetrën anë të konfliktit do ta pranojnë vendimin, kjo është çështje tjetër.

Nëse vendimi është i arsyetuar mirë, unë do të jem plotësisht i kënaqur me këtë.