​Bosnjë e Hercegovina tërheq stafin nga ambasada në Beograd pas glorifikimit të Mladiqit

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka njoftuar një sërë masash diplomatike ndaj Serbisë, pas glorifikimit që kjo e fundit i bëri kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq, transmeton KosovaPress. Në një konferencë për media, Konakoviq bëri të ditur tërheqjen nga Ambasada e Bosnjë-Hercegovinës në Beograd të të gjithë stafit për…

Lajme

08/09/2026 08:26

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka njoftuar një sërë masash diplomatike ndaj Serbisë, pas glorifikimit që kjo e fundit i bëri kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq, transmeton KosovaPress.

Në një konferencë për media, Konakoviq bëri të ditur tërheqjen nga Ambasada e Bosnjë-Hercegovinës në Beograd të të gjithë stafit për të cilin Ministria ka kompetencë ta thërrasë, bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë që ai e udhëheq.

Ai njoftoi se shërbimet konsullore do të transferohen në ambasadat e Bosnjë-Hercegovinës në Zagreb dhe Podgoricë, si dhe në Konsullatën e Përgjithshme në Novi Pazar.

Në kuadër të masave të paralajmëruara, do të pezullohen edhe takimet dypalëshe, ndërsa komunikimi me Serbinë do të reduktohet në nivelin më të ulët të mundshëm.

Reagimi i Sarajevës vjen pas një vargu ngjarjesh në Serbi pas vdekjes së Mladiqit, të cilat janë cilësuar si glorifikim i tij.

Trupi i Mladiqit u transportua nga Haga në Beograd me një avion të Qeverisë së Serbisë. Arkivoli, i mbuluar me flamujt e Serbisë dhe Republikës Srpska, u nxor nga avioni nga pjesëtarë me uniformë të Ushtrisë së Serbisë. I pranishëm ishte edhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq.

Glorifikimi u manifestua edhe në stadiume. Tifozët e Crvena Zvezdës brohoritën emrin e Mladiqit, e përshëndetën dhe shpalosën pankarta në nderim të tij, ndërkohë një episod që shkaktoi reagime ndodhi në derbin ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Partizanit në Beograd, ku u u shpalos portreti i Mladiqit, i shoqëruar me mesazhin “Drejt Potoçarit” që lidhet me fjalët e Mladiqit gjatë hyrjes së forcave serbe të Bosnjës në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Më pas, më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë në gjenocidin e Srebrenicës.

Edhe varrimi i Mladiqit në Beograd u shoqërua me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve. Arkivoli u ruajt nga pjesëtarë të forcave të armatosura, ndërsa mbi të ishte vendosur kapela e tij ushtarake dhe një shpatë. Në ceremoninë e varrimit pati edhe nderime ushtarake.

Këto zhvillime kanë shkaktuar reagime edhe nga Bashkimi Evropian. Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke deklaruar se glorifikimi rreth vdekjes së Mladiqit është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt BE-së.

Shefi i diplomacisë boshnjake paralajmëroi gjithashtu intensifikimin e angazhimit diplomatik me Bashkimin Evropian dhe shtetet e tij anëtare.

Ratko Mladiq ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë dhe rrethimin e Sarajevës. Ai vdiq më 27 gusht, derisa po vuante dënimin në Hagë.