Mbi 170 milionë tregti vitin e kaluar mes Kosovës e Zvicrës – Marrëveshja me EFTA-n sjell lehtësime doganore

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s – Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë –dhe Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2026. Sipas autoriteteve zvicerane, marrëveshja do të rrisë sigurinë juridike dhe mundësinë e planifikimit për shkëmbimet ekonomike, ndërsa do të përmirësojë qasjen e mallrave dhe shërbimeve zvicerane në tregun e…

Lajme

05/09/2026 20:55

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s – Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë –dhe Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2026.

Sipas autoriteteve zvicerane, marrëveshja do të rrisë sigurinë juridike dhe mundësinë e planifikimit për shkëmbimet ekonomike, ndërsa do të përmirësojë qasjen e mallrave dhe shërbimeve zvicerane në tregun e Kosovës, shkruan albinfo.ch. Për eksportet aktuale zvicerane drejt Kosovës do të vlejë heqja e tarifave doganore, në disa kategori pas periudhave të caktuara kalimtare.

175 milionë franga shkëmbime tregtare

Të dhënat e publikuara nga autoritetet zvicerane tregojnë se vëllimi i tregtisë dypalëshe të mallrave ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës arriti në rreth 175 milionë franga në vitin 2025.

Sipas Bernës zyrtare, tregtia ndërmjet dy vendeve është zhvilluar në mënyrë dinamike gjatë viteve të fundit dhe vazhdon të ketë potencial për rritje të mëtejshme.

Kosova vlerësohet si një ekonomi e re me norma solide të rritjes, të mbështetura nga konsumi i brendshëm, sektori i shërbimeve dhe reformat ekonomike.

Çfarë përfshin marrëveshja?

Marrëveshja ka një fushëveprim të gjerë dhe përfshin tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, rregullat e origjinës, barrierat teknike në tregti, masat sanitare dhe fitosanitare, lehtësimin e tregtisë, mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe konkurrencën.

Ajo përmban gjithashtu dispozita që lidhen me tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Zvicra thekson se marrëdhëniet dypalëshe me Kosovën janë të ngushta dhe se ajo do të vazhdojë mbështetjen për reformat ekonomike dhe integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare të bashkëpunimit ekonomik.

Kompanitë zvicerane synojnë pozicion më të mirë në Kosovë

Një nga efektet e marrëveshjes është edhe zvogëlimi i disavantazhit potencial të kompanive zvicerane përballë konkurrentëve nga Bashkimi Evropian në tregun kosovar.

BE-ja dhe Kosova kanë që nga viti 2016 Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e cila parasheh krijimin gradual të një zone dypalëshe të tregtisë së lirë.

Marrëveshja EFTA–Kosovë u nënshkrua më 22 janar 2025, ndërsa Parlamenti zviceran e miratoi atë më 20 mars 2026.

Këshilli Federal miratoi më 2 shtator 2026 edhe ndryshimet e nevojshme të rregulloreve për zbatimin e lehtësimeve doganore të parashikuara në marrëveshje.

Marrëveshja hyn në fuqi më 1 tetor 2026.