Haziri e zbulon se Abdixhiku e dinte që nuk i ka krejt votat e LDK-së për Sejdiun edhe para se të dilte në konferencë: Propozimi ka qenë nga të dyja partitë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka vendosur t’i zbuloj “sekretet” e negociatave Abdixhiku-Kurti për çështjen e Presidentit, që kulmoi me propozimin e Bekim Sejdiut. Haziri, që ishte pjesë e delegacionit të LDK-së tha se kryetari i partisë së tij, Lumir Abdixhiku e ka ditur që nuk i ka të gjitha votat e deputetëve të subjektit…
Lajme
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka vendosur t’i zbuloj “sekretet” e negociatave Abdixhiku-Kurti për çështjen e Presidentit, që kulmoi me propozimin e Bekim Sejdiut.
Haziri, që ishte pjesë e delegacionit të LDK-së tha se kryetari i partisë së tij, Lumir Abdixhiku e ka ditur që nuk i ka të gjitha votat e deputetëve të subjektit që ai udhëheq për ta votuar Bekim Sejdiun, transmeton lajmi.net.
Numri 2 i LDK-së në një intervistë për “Vox Kosova” tha se ia ka përmendur se duhet bashkëpunim me grupin parlamentar për të bashkëpunuar me partnerët tjerë.
“Po, dhe para atij takimit në bisedë me Abdixhikun nuk është çështje e orëve, e ditëve, e kam thënë që bashkëpunimi në GP e determinon bashkëpunimin me partner të tjerë, në këtë rast me VV-në. Nëse nuk e arrijmë me ndërtu unitet funksional dhe të besueshëm, LDK duhet me e pasë parasysh nuk mund të përballohet në procese të tjera”, tha ai.
Tutje, Haziri tregoi se propozimi ka qenë i të dyja partive dhe jo vetëm i LDK-së siç po pretendon Lumir Abdixhiku.
“Në fakt rezultoj me atë emër. Emri, si metodë, e bisedave LDK-VV e ka determinuar edhe emrin e përveçëm. Ka një të vërtetë të madhe, nuk ka dy të vërteta, propozimi është i dy partive politike. Arsye e thjeshtë, duhet të mbyllet një proces politikë. Mbyllja e këtij procesi politikë, doli si pasojë e modelit të bisedave. Modeli i bisedave, që dy liderë të partive politike, është që emri i Bekim Sejdiut ka dal nga dy propozimet, nuk është bërë me zë, është bërë me shkrim. Nga 13 emrat, në të dy listat, ka qenë i propozuar vetëm një emër, ai ka qenë emri i Bekim Sejdiut dhe kjo e ka determinuar këtë çështje që emri si i tillë me dal.”
“Ka qenë propozim edhe i LDK-së. Modeli që e kemi propozuar ka qenë që secila palë të ketë së paku nga 3 propozime dhe pastaj në biseda të përbashkëta të determinohemi për një emër. Kur jemi shkuar në takim, LDK ka dal me tri propozime, VV me 10 propozime. Nga 13 propozimet, vetëm një emër ka qenë në të dy listat dhe kjo ka qenë determinuese. Unë kam qenë i vetdijshëm dhe i besueshëm, që Bekim Sejdiu nuk mundet me ndërtu unitetin në LDK.”, u shpreh ai.
Haziri tha se ka besuar tek dialogu i brendshëm dhe se disa minuta para takimit të fundit ia ka përsëritur Abdixhikut se duhet të vazhdoj dialogun e brendshëm.
“Ka besu në dialog të brendshëm, siç kam besu edhe unë. Nuk kam bërë kërkesë tjetër, disa minuta para takimit të fundit unë e kam konfirmu edhe një herë se LDK duhet me pasë parayssh këtë çështje të brendshme dhe që duhet me vazhdu me dialogu”, shtoi Haziri./lajmi.net/