Dështimi për presidentin i bënë zgjedhjet e reja të pashmangshme
Zgjedhjet e reja po konsiderohen të pashmangshme, një ditë pasi gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dolën kundër marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president. Analistët politikë e shohin të vështirë që deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës ose Aleancës t’i japin mbështetje propozimit të Sejdiut për të parin e…
Lajme
Zgjedhjet e reja po konsiderohen të pashmangshme, një ditë pasi gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dolën kundër marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president. Analistët politikë e shohin të vështirë që deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës ose Aleancës t’i japin mbështetje propozimit të Sejdiut për të parin e vendit.
Sipas tyre, bazuar në qëndrimet aktuale politike, vendin e presin zgjedhjet e reja.
Analisti politik, Blerim Canaj, thotë për KosovaPress se problemi kryesor i LDK-së është mungesa e konsensusit brenda vetë partisë, duke e lidhur këtë situatë edhe me përçarjet e brendshme dhe pozitën e kryetarit, Lumir Abdixhiku.
“LDK-ja e ka problemin që të ketë konsensus brenda partisë së saj, e lërë më të arrijë një konsensus me partitë e tjera. Kjo flet shumë për LDK-në, thyerjet dhe përçarjet që i ka LDK-ja dhe vetë pozitën e kryetarit, Lumir Abdixhiku. Natyrisht, një kryetar që nuk arrin t’i unifikojë deputetët e tij dhe të ketë votën e partisë së tij për çështje kaq të rëndësishme flet për LDK-në… Unë mendoj që dëshira e këtyre personave, të cilëve qytetari u ka dhënë përgjegjësinë për të ndërtuar institucionet, është që ne të shkojmë në zgjedhje, por në afatet e dëshiruara të tyre… Nuk e di a janë zgjedhjet zgjidhje, pasi këta mund të na çojnë në zgjedhje për të na çuar prapë në zgjedhje nga ajo që kemi parë deri tani”, thotë Canaj.
Për analistin tjetër politik, Selatin Retkoceri, dështimi i marrëveshjes LVV-LDK për shkak të mospërkrahjes së gjashtë deputetëve të kësaj të fundit mund të reflektohet drejtpërdrejt në rezultatin e ardhshëm zgjedhor të partisë së Lumir Abdixhikut.
Sipas tij, kryetari i LDK-së, me arritjen e ujdisë me LVV-në pa i pasur votat e sigurta të deputetëve të tij, ka marrë mbi vete përgjegjësinë për dërgimin e vendit në një tjetër proces zgjedhor. Retkoceri vlerëson se një situatë e tillë mund ta dobësojë më tej pozitën e LDK-së në skenën politike, deri në rrezikimin e vendit të tretë.
“Përkundër që është partia e tretë, ai (Lumir Abdixhiku) e mori barrën e përgjegjësisë që po e çon vendin edhe një herë në një cikël të ri zgjedhor. Kjo do të dëmtojë më së shumti Lidhjen Demokratike të Kosovës. Më vjen keq që kjo parti tani do të luftojë jo për vendin e dytë, por për vendin e tretë, pasi këtë vend do ta ketë të rrezikuar nga Aleanca”, potencon ai.
Pas kësaj situate, Canaj e sheh të vështirë të gjendet një ujdi tjetër për president, duke u bazuar në qëndrimet aktuale politike.
Megjithatë, ai thotë se nëse LVV-ja plotëson kërkesat e Aleancës, përfshirë gazin amerikan, mund të gjendet zgjidhja për presidentin.
“Përpjekjet gjatë gjithë kohës nuk kanë qenë që të gjendet një zgjidhje, pasi ajo ka qenë në tavolinë që në fillim. E tërë përpjekja ka qenë që si të bëhet pala tjetër fajtore për atë që ka qenë e planifikuar më herët, shkuarja në zgjedhje. Po të kishte dëshirë për zgjidhje, e para që do të bënte LVV-ja do të ulej seriozisht dhe me tema konkrete me PDK-në, pasi me të nuk e ka pasur problemin e votës. E dyta, do t’i shikonte me seriozitet ato gjashtë pikat e Aleancës, pasi në fund të ditës ato nuk janë pika që shkojnë ekskluzivisht në interes të Aleancës. Janë pika që shkojnë në interes të qytetarit dhe vendit”, thekson ai.
Më 31 gusht, LVV dhe LDK kishin arritur marrëveshje që Bekim Sejdiu të propozohet për president të vendit. Këto dy parti, bashkë me minoritetet jo-serbe, kanë 80 vota të nevojshme për ta zgjedhur presidentin.
Mirëpo, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së më 1 shtator u bë e ditur se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do të mundësojnë zgjedhjen e Sejdiut për president.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.
Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca po vazhdojnë aksionet politike për të kërkuar mbajtjen e seancës konstituive pas zgjedhjeve të 7 qershorit.