Kroacia jep alarmin: Serbia po grumbullon armë sulmi, ushtroni presion mbi Beogradin

Janë përshkallëzuar ndjeshëm tensionet politike mes Kroacisë dhe Serbisë pas deklaratave të zyrtarëve të lartë kroatë për forcimin e shpejtë të kapaciteteve ushtarake të Serbisë. Zagrebi po këmbëngul që partnerët e tij perëndimorë të informohen dhe të ushtrojnë presion politik ndaj Beogradit. Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokovic, dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushic, kanë…

Lajme

26/08/2026 12:55

Janë përshkallëzuar ndjeshëm tensionet politike mes Kroacisë dhe Serbisë pas deklaratave të zyrtarëve të lartë kroatë për forcimin e shpejtë të kapaciteteve ushtarake të Serbisë.

Zagrebi po këmbëngul që partnerët e tij perëndimorë të informohen dhe të ushtrojnë presion politik ndaj Beogradit. Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokovic, dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushic, kanë shprehur hapur shqetësimin për modernizimin ushtarak të Serbisë dhe kanë kërkuar që kjo çështje t’u përcillet aleatëve të Kroacisë.

Duke folur para ambasadorëve, konsujve dhe atasheve ushtarakë kroatë në konferencën vjetore në Zagreb, Jandrokovic tha se Serbia nuk po investon vetëm në kapacitete mbrojtëse. “Serbia po armatoset jo vetëm me armë mbrojtëse, por edhe me armë ofensive, sulmuese. Dhe këtë duhet t’ua themi aleatëve tanë perëndimorë”, deklaroi ai.

Sipas Jandrokovicit, një pjesë e elitave të reja politike në vendet perëndimore nuk e njohin mjaftueshëm historinë e ish-Jugosllavisë, politikën e Sllobodan Milloshevicit dhe rreziqet që mund të krijohen nga zhvillimet aktuale në Ballkan. Ai kërkoi që diplomacia kroate të jetë më aktive në informimin e partnerëve ndërkombëtarë për situatën e sigurisë në rajon.

Shqetësimet në Zagreb janë shtuar veçanërisht pas modernizimit të shpejtë të ushtrisë serbe gjatë viteve të fundit. Një nga marrëveshjet që ka tërhequr më shumë vëmendje ishte vendimi i Francës për t’i shitur Serbisë 12 avionë luftarakë Rafale.

Deklaratat nga Zagrebi shkaktuan reagimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçic, i cili sipas mediave kroate, Vuçiç iu përgjigj Jandrokovicit me ironi, duke deklaruar se kishte kaluar koha kur, sipas tij, “njerëzit dëboheshin me ambasadorë mbi tanke”.