Haziri kritikon tensionet në Parlament: VV e shndërroi sallën e Kuvendit të Republikës në zallamahi

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj situatës së krijuar gjatë seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës, duke kritikuar ashpër zhvillimet dhe gjuhën e përdorur në sallën plenare. Haziri ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për tensionimin e situatës, duke thënë se përplasjet politike nuk duhet të degradojnë në fyerje, kërcënime…

Lajme

13/08/2026 19:45

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj situatës së krijuar gjatë seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës, duke kritikuar ashpër zhvillimet dhe gjuhën e përdorur në sallën plenare.

Haziri ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për tensionimin e situatës, duke thënë se përplasjet politike nuk duhet të degradojnë në fyerje, kërcënime apo thirrje për dhunë, transmeton lajmi.net.

Përmes një postimi, ai ka thënë se Kuvendi duhet të mbetet hapësirë e debatit politik dhe e ushtrimit të përgjegjësive institucionale, e jo vend ku mbizotëron konflikti verbal.

“E patë qysh n’pikë t’ditës VV e shndërroi sallën e Kuvendit të Republikës në zallamahi!”, ka shkruar Haziri.

Ai ka kundërshtuar gjithashtu përplasjet me mërgimtarët, duke argumentuar se përgjegjësia për situatën duhet të kërkohet te ata që, sipas tij, pengojnë funksionimin e deputetëve dhe tolerojnë gjuhën kërcënuese.

“Ne nuk duhet të ballafaqohemi me mërgimtarët, por me ata që e mbajnë derën e mbyllun për deputetë dhe me ata hapin dyer për sharje e thirrje për vrasje!”, ka deklaruar ai.

Në reagimin e tij, nënkryetari i LDK-së ka përsëritur edhe qëndrimin e partisë lidhur me procesin e konstituimit të institucioneve. Sipas tij, LDK-ja nuk po kërkon poste, por dëshiron të ushtrojë rolin e saj institucional në procesin e funksionalizimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit.

“Gjithçka për Republikën. LDK nuk kërkon asgjë pos rolit të saj shtetnor për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit”, ka përfunduar Haziri./lajmi.net/