Ardian Gjini reagon pasi LDK lëvizi nga qëndrimi për bashkëpunim me VV-në, ia kujton Kurtit 6 pikat e Aleancës

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka përshëndetur qëndrimin e sotëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrë pjesë në qeverisje me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen. Gjini ka thënë se Aleanca prej kohësh ka paralajmëruar, siç e quan ai, “lojën e pandershme” të Kurtit dhe partisë së tij. “Prandaj, qëndrimi i sotëm i Lidhjes…

Lajme

13/08/2026 21:37

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka përshëndetur qëndrimin e sotëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrë pjesë në qeverisje me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.

Gjini ka thënë se Aleanca prej kohësh ka paralajmëruar, siç e quan ai, “lojën e pandershme” të Kurtit dhe partisë së tij.

“Prandaj, qëndrimi i sotëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrë pjesë në qeverisje me Kurtin është i drejtë dhe parimor dhe si të tillë e përshëndes”, ka shkruar Gjini.

Sipas tij, Kurti synon të ketë kontroll të plotë mbi institucionet dhe shtetin, të cilin, siç shprehet Gjini, “po e degradon çdo ditë”.

Kryetari i Aleancës ka përsëritur edhe gjashtë kushtet e subjektit të tij për çdo qeveri të ardhshme, duke theksuar se Kosova nuk guxon të kontrollohet nga një njeri.

Aleanca kërkon që qeveria e ardhshme të pranojë këto pika:

    1. Pranimin e gazit amerikan;
    2. Ndërtimin e kapaciteteve energjetike;
    3. Përfundimin e infrastrukturës kryesore;
    4. Ngritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla;
    5. Lirimin e bujqve nga tatimi në pronë;
    6. Investime në kryeqytet.