Tahiri përsërit ftesën për seancën e nesërme: Kurti nuk mund ta defunksionalizoj Kuvendin për t’i shantazhuar subjektet politike
Deputeti i PDK-së , Arian Tahiri ka folur sot para mediave pasi të njëjtit sot i kanë bërë ftesë publike kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit dhe VV-së që ta thërrasin seancën e Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se këtë konferencë e kanë bërë për të informuar publikun dhe për t’i bërë ftesë publike…
Lajme
Deputeti i PDK-së , Arian Tahiri ka folur sot para mediave pasi të njëjtit sot i kanë bërë ftesë publike kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit dhe VV-së që ta thërrasin seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se këtë konferencë e kanë bërë për të informuar publikun dhe për t’i bërë ftesë publike edhe kryesuesit të seancës, Deharit por edhe VV-së e cila sipas tij është duke e penguar konstituimin e Kuvendit si rezultat i abuzimit të tyre përmes kryesuesit për mos ta thirrur seancën.
Sipas Tahirit, kjo seancë është obligim edhe ligjor edhe në bazë të rregullores së punës së Kuvendit por edhe kushtetues që të thirret çdo 48 orë.
“Ne si PDK i kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtroj detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së Kuvendit që ta respektoj ligjin, ta respektoj Kushtetutën dhe ta thërret seancën ashtu që të konstituohet Kuvendi, të kemi normalitet dhe Kuvendi i Kosovës të jetë funksional. Gjithashtu, edhe subjektet e tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, ia kemi dorëzuar ftesën që nesër në ora 11:00 të jenë prezent. PDK do të jetë rpezent, Aleanca është përgjigjur pozitivisht dhe presim të përgjigjen edhe subjektet e tjera sepse është obligim kushtetues, moral i secilit prej neve që të jemi në seancë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin e Republikës”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se bashkarisht po bëjnë aktivitete dhe reagime politike.
“Sot kemi pas një aktivitet në orët e hershme të mëngjesit, si rezultat që t’i bëjmë kërkesë deputetit Kurti të vije dhe të ushtroj detyrën e tij si deputet, ta funksionalizoj Kuvendin, i ka votat edhe për qeveri dhe për Presidentin të bëhet marrëveshje. Pa e paragjyku pjesën e marrëveshjes, ai nuk mundet të defunksionalizoj Kuvendin me qëllim të tentoj t’i shantazhoj subjektet politike me zgjedhje ose të tentoj të imponoj çasje autoritare që është e dëmshme për vendin dhe është mesazh i fuqishëm”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se reagimi i tyre do të rritet çdo ditë, sepse sipas tij pushtetin autoritar nuk e lejon askush.
“Këtë që po e shohim, që po cenohet rendi kushtetues, mosfunksionalizmi i Kuvendit, nesër mund t’i ndodh edhe një punëtori në administratë publike që ta largojnë nga puna, munden shteti një biznes ta mbyll. Pra, po flasim për situatë jo normale, të paimagjinueshme, të papërjetushme në Kosovë nga viti 1999 e këndej. Është rrezik për shtetin Kosovës, që tenton t’i rrëzoj subjektet opozitare. Por, PDK dhe subjektet e tjera nuk shantazhohen, dhe nuk i nënshtrohen kësaj qasje autoritare që po e ushtron deputeti Kurti”, ka shtuar Tahiri. /Lajmi.net/