Arrestohet në Prizren i dyshuari për shantazh, dyshohet se përfitoi deri në 50 mijë euro nga viktima – Prokuroria jep detaje

Prokuroria Themelore në Prizren, bashkë me Policinë e Kosovës në këtë Komunë, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe, përmes aplikimit të masave të veçanta hetimore, kanë arrestuar në flagrancë të pandehurin S.Q., nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Shantazhi” nga neni 329, par. 2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal…

Lajme

13/08/2026 15:40

Prokuroria Themelore në Prizren, bashkë me Policinë e Kosovës në këtë Komunë, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe, përmes aplikimit të masave të veçanta hetimore, kanë arrestuar në flagrancë të pandehurin S.Q., nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Shantazhi” nga neni 329, par. 2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe “Ngacmimi” nga neni 182 par.1 sipas KPRK-së.

Sipas dyshimeve të ngritura në kuadër të hetimeve të deritanishme, i pandehuri S.Q., nga qershori i vitit 2025 e deri më 13 gusht 2026, në Prizren dhe përmes komunikimeve në rrjetet sociale, dyshohet se ka kanosur dhe shantazhuar të dëmtuarën, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

I njëjti, përmes mesazheve në aplikacionin WhatsApp, ka ushtruar presion ndaj të dëmtuarës, duke e kërcënuar me publikimin dhe dërgimin te familjarët të materialeve që, sipas pretendimeve të tij, do t’i cenonin nderin dhe autoritetin.  Në këtë mënyrë, i njëjti ka kërkuar dhe ka arritur të sigurojë mjete financiare, në shumën deri në 50 mijë euro, të cilat e dëmtuara dyshohet se i ka siguruar, ndër të tjera, edhe përmes shitjes së arit të marrë nga nëna dhe familjarët e saj, me qëllim përmbushjen e kërkesave të të dyshuarit.

Po ashtu, sipas dyshimeve të administruara deri në këtë fazë të procedurës, i pandehuri dyshohet se ka vazhduar komunikimet e padëshiruara dhe kërcënuese ndaj të dëmtuarës, duke i shkaktuar asaj frikë dhe shqetësim të madh emocional, si për veten ashtu edhe për anëtarët e familjes së saj.

I pandehuri gjendet në ndalim 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor, Prokuroria do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurën penale.

Po ashtu, lidhur me rastin janë sekuestruar 21 mijë e 100 euro, një (1) veturë dhe dy (2) telefona celularë.

Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe sigurimin e provave relevante.