Dy persona ekstradohen në Kosovë nga Gjermania dhe Hungaria, kërkoheshin për vepra të lidhura me narkotikët

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar dy ekstradime nga shtete të ndryshme drejt Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe me institucionet e drejtësisë. Sipas njoftimit të Policisë, më 12 gusht 2026 nga Gjermania është ekstraduar shtetasi kosovar M.T., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë. Ai…

Lajme

13/08/2026 15:46

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar dy ekstradime nga shtete të ndryshme drejt Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe me institucionet e drejtësisë.

Sipas njoftimit të Policisë, më 12 gusht 2026 nga Gjermania është ekstraduar shtetasi kosovar M.T., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë.

Ai dyshohet se është i përfshirë në veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja edhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Pas ekstradimit, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë për procedura të mëtejshme ligjore.

Ndërkaq, më 13 gusht 2026, nga Hungaria është ekstraduar në Kosovë shtetasi i Serbisë, I.S., i cili po ashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale të lidhur me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve.

Edhe I.S. pas ekstradimit i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë në Prishtinë për procedurat e mëtejshme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto ekstradime janë realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë dhe Hungarisë.

“Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) mbetet e përkushtuar të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, ky bashkëpunim synon parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave apo grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë Kosovës. /Lajmi.net/