MINTI nis kontrolle intensive për qumështin dhe produktet e qumështit, paralajmërohen masa ndaj shkelësve

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se do të fillojnë kontrolle intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit në tregun e Kosovës. Sipas njoftimit të publikuar nga Mimoza Kusari-Lila, kontrollet do të zhvillohen bazuar në gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ndërsa…

Lajme

05/08/2026 20:03

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se do të fillojnë kontrolle intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit në tregun e Kosovës.

Sipas njoftimit të publikuar nga Mimoza Kusari-Lila, kontrollet do të zhvillohen bazuar në gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ndërsa do të fokusohen në verifikimin nëse përbërja reale e produkteve përputhet me atë që deklarohet në etiketa, raporotn lajmi.net

Nga 6 gushti 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me AUV-në, do të kontrollojë të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, përfshirë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.

Postimi i plotë:

Fillojnë kontrollet intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), bazuar në gjetjet e përcjella nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), njofton se përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, ose deklarimi i pasaktë i përbërjes së produkteve, përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mashtrim të konsumatorit.
Asnjë operator ekonomik nuk do të lejohet të përfitojë në kurriz të qytetarëve duke fshehur përbërjen reale të produkteve ose duke i paraqitur ato ndryshe nga çfarë janë në të vërtetë. Mbrojtja e konsumatorit është detyrim ligjor dhe prioritet institucional.
Duke filluar nga 6 gushti 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkërendim me AUV-në, do të zhvillojë kontrolle intensive në të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, duke përfshirë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.
Kontrollet do të fokusohen në:
* përputhshmërinë ndërmjet përbërjes reale të produktit dhe deklarimit në etiketë;
* deklarimin e qumështit pluhur, vajit të palmës dhe çdo përbërësi tjetër;
* saktësinë e emërtimit dhe prezantimit të produkteve;
* dokumentacionin e lëndëve të para dhe gjurmueshmërinë e produkteve;
* produktet që mbahen për tregtim ose ofrohen për shitje.
Çdo produkt për të cilin, pas verifikimeve zyrtare dhe analizave laboratorike, konstatohet se etiketa nuk pasqyron përmbajtjen reale, do të tërhiqet menjëherë nga tregu, në përputhje me procedurat ligjore.
Ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa administrative dhe ndëshkuese, duke përfshirë gjobat, tërheqjen e produkteve nga tregu dhe çdo masë tjetër të paraparë me legjislacionin në fuqi.
MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë pa asnjë kompromis detyrimet ligjore për përbërjen, emërtimin dhe etiketimin e produkteve. Çdo deklarim i rremë, i pasaktë apo mashtrues do të trajtohet me tolerancë zero dhe do të sanksionohet sipas ligjit.
Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë konsumojnë. Institucionet do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për ta mbrojtur këtë të drejtë, për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg dhe për të mbrojtur shëndetin publik./Lajmi.net/