Beqiri: Ulja e çmimit të naftës është e mirëseardhur, Qeveria duhet të ndërhyjë me masa për qytetarët dhe bizneset

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë se çdo ulje e çmimit të naftës është pozitive si për qytetarët ashtu edhe për bizneset, pasi ndikon drejtpërdrejt në kostot e prodhimit dhe shërbimeve. “Çdo ulje e çmimit të naftës është e mirëseardhur si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Ndikon drejtpërdrejt në koston dhe prodhimin e tyre”, ka…

Lajme

05/08/2026 18:52

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë se çdo ulje e çmimit të naftës është pozitive si për qytetarët ashtu edhe për bizneset, pasi ndikon drejtpërdrejt në kostot e prodhimit dhe shërbimeve.

“Çdo ulje e çmimit të naftës është e mirëseardhur si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Ndikon drejtpërdrejt në koston dhe prodhimin e tyre”, ka deklaruar Beqiri.

Sipas tij, Kosova aktualisht po përballet me rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për t’i përballuar situatat e krizave ndërkombëtare.

“Vendi aktualisht po ballafaqohet me rritjen e vazhdueshme të çmimeve dhe, varësisht se çfarëdo konflikti botëror po ndodh, edhe Kosova ndikohet. Kosova nuk ka kushtet elementare për t’i përballuar këto situata. Nuk ka as rezerva shtetërore, por as politika zhvillimore parandaluese që do të ndikonin në daljen në ndihmë të qytetarëve”, tha ai ne Five te Dukagjinit.

Beqiri vlerësoi se qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbeten të varur nga zhvillimet globale, por institucionet duhet të marrin masa konkrete.

“Duke marrë bazë në praktikat e vendeve të tjera të botës, edhe Republika e Kosovës duhet të ndërmarrë masa, sepse qytetari pret ndihmë nga Qeveria. Një nga masat kryesore është ulja e akcizës”, u shpreh ai.

Ekonomisti tha se qytetarët po përballen me rritje të shpenzimeve si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe karburanteve.

“Konsideroj të domosdoshme që institucionet e Kosovës t’u dalin në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, duke ulur të paktën përkohësisht akcizën në produkte”, përfundoi Beqiri.