Trump thotë se bisedimet me Iranin rifillojnë më 3 gusht, pasi anuloi “sulmin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Donald Trump, tha se anuloi “sulmin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore” kundër Iranit, pas një kërkese nga Teherani dhe kërkesave të aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, duke shtuar se bisedimet e paqes do të rifillojnë më 3 gusht, ndërsa një marrëveshje për Ngushticën…
Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Donald Trump, tha se anuloi “sulmin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore” kundër Iranit, pas një kërkese nga Teherani dhe kërkesave të aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, duke shtuar se bisedimet e paqes do të rifillojnë më 3 gusht, ndërsa një marrëveshje për Ngushticën strategjike të Hormuzit është “e afërt”.
“Tani ajo që po bëjmë është se po flasim me ta në formën e negociatave. Ato fillojnë nesër [3 gusht] pasdite”, u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One më 2 gusht.
Trump nuk dha detaje për pjesëmarrësit apo vendin ku do të zhvillohen negociatat e reja. Katari dhe Pakistani kanë vepruar si ndërmjetës në bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit. Më 30 korrik, Ministria e Jashtme e Katarit tha se nuk ishte planifikuar asnjë takim i nivelit të lartë në Doha në ditët në vijim, pas deklaratave të mëhershme të Trumpit.
“Do të doja shumë [të arrinim një marrëveshje]”, tha Trump. “Kjo do të shpëtonte shumë jetë… Ne kishim planifikuar një sulm që do të kishte qenë sulmi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore dhe do të kishte qenë katastrofik për ta. Ata nuk donin që ne ta bënim”.
Ai tha se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, së bashku me Iranin, i kërkuan të anulonte sulmet ajrore të planifikuara ndaj Iranit. Trump tha se Teherani kërkoi “me shumë këmbëngulje” që të mos ndërmerreshin sulmet. “Ata thanë se duam të arrijmë një marrëveshje”, shtoi ai.
“Ishim gati të vepronim, afërsisht në këtë kohë, dhe do të kishte qenë një sulm masiv”.
“Por kur aleatët kërkuan ta anulonim… dhe arsyeja pse e bënë këtë është sepse ata mendojnë se ka një marrëveshje. Ka një marrëveshje për Hormuzin dhe do të ketë një marrëveshje për… çarmatimin bërthamor të Iranit.”
“Një marrëveshje është e afërt sa i përket Ngushticës së Hormuzit dhe, në fund, edhe çarmatimit bërthamor të Iranit”, tha ai.
Këto deklarata pasuan komentet që ai bëri një ditë më parë, kur tha se kishte vendosur të “pezullonte” sulmet e reja, sepse “parametrat” e një marrëveshjeje ishin dakordësuar me Teheranin dhe se Izraeli po i bashkohej këtij angazhimi.
“SHBA-ja është e gatshme dhe e përgatitur të veprojë kundër Republikës Islamike të Iranit me një nivel terrori ushtarak, force dhe fuqie që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pavarësisht kësaj, Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme sapo na kanë kërkuar të mos ndërmarrim asnjë sulm, pasi parametrat e një marrëveshjeje janë dakordësuar”, shkroi Trump në Truth Social në mbrëmjen e 1 gushtit.
“Kjo do të përfshinte HAPJEN e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të NGUSHTICËS SË HORMUZIT, si dhe fundin e kërcënimit bërthamor të Iranit”.
“Bazuar në këtë kërkesë, kam rënë dakord, për të mirën e ardhshme të BOTËS dhe, po ashtu, për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë, ta anuloj sulmin, me kusht që të arrihet shpejt një MARRËVESHJE”, shkroi ai.
Trump ka kërcënuar shpesh me sulme të mëdha ndaj Iranit, për t’i anuluar më pas, duke pretenduar se një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit ishte e afërt. Deri më tani, një marrëveshje e qëndrueshme paqeje ka mbetur e paarritshme, ndërsa sulmet hakmarrëse nga të dyja palët kanë rifilluar.
Megjithatë, sipas mediave iraniane, burime ushtarake në Iran mohuan pretendimin e Trumpit se Teherani i kishte kërkuar Uashingtonit të përmbahej nga nisja e sulmeve të reja.
Agjencia iraniane Mehr News më 2 gusht citoi burime të paidentifikuara, sipas të cilave deklarata e Trumpit ishte “thjesht një tjetër gënjeshtër” dhe një përpjekje për të “shantazhuar sundimtarët e Gjirit Persik dhe për t’i vënë nën presion me kërcënime”.
Teherani nuk komentoi menjëherë deklaratat e fundit lidhur me rifillimin e bisedimeve më 3 gusht.
Megjithëse Trump fillimisht tha se eliminimi i kërcënimit bërthamor të Teheranit ishte objektivi kryesor i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila filloi më 28 shkurt, javët e fundit ai është përqendruar te liria e qarkullimit në Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit.
Më shumë se 20 për qind e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalonte përmes ngushticës para luftës, por Irani, herë pas here, e ka bllokuar në mënyrë efektive këtë rrugë ujore, përfshirë edhe përmes sulmeve ndaj anijeve, për të cilat tha se nuk kishin marrë miratimin e duhur nga Teherani. Irani ka kërcënuar gjithashtu se do të vendosë tarifa ose pagesa për anijet që kalojnë nëpër ngushticë.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë këmbëngulur se ngushtica është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe nuk është nën kontrollin e asnjë shteti.
Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi 60-ditor më 17 qershor, me synimin për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të rihapur ngushticën. Megjithatë, mosmarrëveshjet lidhur me kuptimin e kushteve të marrëveshjes kanë çuar në sulme të reja nga të dyja palët.
Në orët e para të 3 gushtit, Operacionet Detare Tregtare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) njoftuan se kishin marrë një raport për një incident që përfshinte një cisternë rreth 20 milje detare në verilindje të portit oman të Khasabit.
UKMTO tha se kapiteni i cisternës raportoi se kishte dëgjuar një shpërthim pranë anijes, duke shtuar se anija dhe ekuipazhi i saj ishin të sigurt.
Rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, javët e fundit kanë hapur një front të ri në luftë duke shënjestruar objektet e naftës dhe duke sulmuar cisterna nafte në Detin e Kuq, si pjesë e një bllokade detare ndaj Arabisë Saudite, duke rrezikuar krijimin e një pike të dytë kritike për furnizimin global me naftë pas mbylljes efektive të Ngushticës së Hormuzit. REL
