Seanca konstituive afër, marrëveshja për Presidentin ende larg
Vetëm edhe tre ditë kanë mbetur para se deputetët e rinj të betohen dhe të marrin detyrën e tyre, e cila është me plotë përgjegjësi. Një nga përgjegjësitë kryesore të 110 të zgjedhurve nga qytetarët e Kosovës, është edhe formimi i institucioneve të reja, Qeverisë së Kosovës dhe Presidentit/es. Zgjedhja e Presidentit të ri po…
Lajme
Vetëm edhe tre ditë kanë mbetur para se deputetët e rinj të betohen dhe të marrin detyrën e tyre, e cila është me plotë përgjegjësi.
Një nga përgjegjësitë kryesore të 110 të zgjedhurve nga qytetarët e Kosovës, është edhe formimi i institucioneve të reja, Qeverisë së Kosovës dhe Presidentit/es.
Zgjedhja e Presidentit të ri po shihet si problem përsëri, ndonëse njëherë e dërgoi vendin në zgjedhje pasi nuk u arrit kuorumi në sallën e Kuvendit kur u propozuan Glauk Konjufca, Fatmire Mullhaxha Kollçaku, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Asnjëri nga katër kandidatët e lartëpërmendur nuk arriti t’i bind deputetët e partive opozitare të cilët kërkonin një emër koncensual dhe jo partiak.
Meqë Presidenti nuk u zgjodh, më 7 qershor qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit, me shpresën që kësaj radhe do të ketë zgjidhje.
Nga këto zgjedhje, VV doli përsëri e para me 47.13% të votave apo 53 ulëse, PDK e dyta me 19.44% apo 22 ulëse, LDK e treta me 16.69% apo 18 ulëse dhe Aleanca me 6,74% apo 7 ulëse.
Pas certifikimit të rezultateve më 8 korrik të këtij viti, pritej të fillonin takimet mes partive për të gjetur një zgjidhje dhe kjo u bë.
Kryetari i VV-së njëherit kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurtin ftoi kryetarin e PDK-së, atë të LDK-së dhe AAK-së në takim ndërsa vetëm dy të parët iu përgjigjën pozitivisht.
Pas takimit të Kurtit me Bedri Hamzën, ky i fundit deklaroi se do të mbesin në opozitë duke shuar gjasat për një marrëveshje PDK-LDK që do ta zgjidhte më së lehti Presidentin.
“Ju e dini qëndrimin tim që unë kam dal me prioritete, me ekonomi, në energji, në arsim e Drejtësi, për me u zbatu këto projekte PDK nuk ka vija të kuqe me askën. Bazuar në bisedat që kemi pas, normalisht korrekte, PDK është në opozitë. Dhe ne i dëshirojmë suksese zotëri Kurtit, dhe partive tjera.”- ka deklaruar Hamza pas takimit më 10.07.2026.
Për këtë takim, Kurti ka thënë se ishte konstruktiv.
“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret që do mund ta ndaja me publikun. Me kryetarin Hamza jam takuar dy herë gjatë dimrit sivjet, asnjëherë në pranverë e ishte hera e parë në këtë verë e uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të vazhdojë”- deklaroi Kurti më 10.07.2026.
Ai uroi që brenda fateve të konstituohen institucionet dhe të zgjedhet edhe presidenti i ri.
“Atmosfera konstruktive duhet të vijoj të mbizotëroj. Pasditen e vonë do të takoj edhe Lumir Abdixhkun dhe të shohim se si tri subjekte të mëdha t’i mbledhim me shpejtësi 93 deputetë, kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve që të konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të”- tha Kurti.
Ai ka shtuar se me 93 deputetë konstituimi i institucioneve është i sigurt sepse me 80 apo 81 deputetë nuk ka asgjë të sigurt.
Pas Hamzës, Kurti ka takuar edhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Abdixhiku para mediave pas takimit ka deklaruar se janë dakorduar që të vazhdojnë komunikimin.
‘’Ishte takimi i parë. Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Kosovë, dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme . U dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangiesh së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë’’, ka thënë ai.
Pas këtij takimi, Kurti tha se takimi u zhvillua në atmosferë konstruktive ku u diskutuan shumë çështje të zhvillimeve politike e dinamikave institucionale e po ashtu edhe orari i konstituimit të institucioneve.
Mirëpo, sipas tij, ende nuk ka ndonjë konkluzion apo të arritur që mund të diskutohet.
“Ishte takimi i parë. I kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për ta zgjedhur kryetarin apo kryetaren e Kuvendit të Republikës, nënkryetarët, Qeverinë e presidentin apo presidenten. Kemi diskutuar të gjitha këto por ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur që të mund ta ndaj me ju. Jam optimist për rrugën përpara”- deklaroi Kurti.
Kurti tha se LVV është e interesuar për marrëveshje politike dhe për evitimin e zgjedhjeve të reja.
“Jemi të interesuar për marrëveshje e të mos kemi sërish zgjedhje sepse është rimbajtje e zgjedhjeve që çon përafërsisht në mirëmbajtje të rezultatit. Marrëveshja që e synojmë është marrëveshje politike që e shohim si suplement të vullnetit të popullit”- theksoi më tej ai.
Ndonëse pritej që takimet VV-LDK të vazhdonin kjo nuk u bë, për shkak të një situate që erdhi brenda LDK-së. Një grup i anëtarëve të kësaj partie dhe degë të mëdha të saj, kërkuan rrëzimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut duke i mbledhur nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një Kuvendi të Përgjithshëm të LDK-së.
Pas kësaj kërkese, Abdixhiku përmes një video në rrjetin social Facebook, deklaroi se bisedimet me VV-në pezullohen deri në moment të përfundimit të Kuvendit të Përgjithshëm të partisë.
“Për shkak të kësaj nisme, detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës që i prisni me të drejtë tash e sa kohë”, tha Abdixhiku në ditën kur u mblodhën nënshkrimet.
Më 30 korrik, LDK mbajti Kuvendin e Përgjithshëm, ku ai u konfirmua përsëri si kryetar.
Pasi i mbijetoi mocionit për shkarkimin nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se nga sot e heq pezullimin për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e institucioneve të reja të vendit, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional.
“Nga nesër e tutje do të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nga sot e heqi atë pezullimin dhe LDK është e hapur të diskutojmë tutje për institucionet”, tha Abdixhiku.
Por, ndonëse kanë kaluar katër ditë që nga mbajtja e këtij Kuvendi, ende asnjë takim mes tyre nuk është mbajtur.
Të enjtën më 6 gusht, pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit ku do të formohet Kuvendi, pastaj kryetari i Kuvendit që është edhe ushtrues detyre i presidentit do të mandatoj kandidatin për kryeministër i cili do të propozoj vizionin e tij për 4 vite dhe do të votohet Qeveria e re nëse i arrin 61 vota, ndërkaq hapi i fundit është Presidenti/ja.
Atij i duhen 80 vota në Kuvend që të zgjidhet, ndërkaq situata aktuale nuk tregon që këto 80 vota janë mbledhur.
Nga dita e konstituimit të Kuvendit, partitë politike kanë afat 60 ditë që të zgjidhet Presidenti, në rast se këto 60 ditë nuk sjellin zgjidhje, vendi shkon përsëri në zgjedhje. /Lajmi.net/